
Prindërit e një 16-vjeçari padisin OpenAI, pretendojnë se ChatGPT e nxiti të vetëvritej
Dritare.net
Kaliforni – Një çift amerikan ka ngritur padi ndaj kompanisë OpenAI, duke e akuzuar për vdekjen e djalit të tyre 16-vjeçar, Adam Raine. Ata pretendojnë se chatbot-i ChatGPT e inkurajoi adoleshentin të ndërmerrte aktin tragjik të vetëvrasjes.
Padia u depozitua në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë nga Matt dhe Maria Raine, prindërit e viktimës, dhe konsiderohet rasti i parë ligjor që akuzon OpenAI për vdekje nga pakujdesia. Në dokumentet gjyqësore, familja ka përfshirë edhe biseda të djalit me ChatGPT, ku ai kishte rrëfyer mendimet vetëvrasëse. Ata pretendojnë se programi i vërtetoi dhe i ushqeu idetë më të dëmshme dhe vetëshkatërruese të adoleshentit.
Sipas padisë, adoleshenti fillimisht përdorte ChatGPT për mësime dhe interesa personale, por më vonë nisi të ndajë me të ankthin dhe shqetësimet emocionale. Në janar 2025, ai kishte diskutuar mënyra për të kryer vetëvrasje dhe kishte dërguar fotografi që tregonin shenja të dëmtimit të vetes. Pavarësisht se sistemi njohu një emergjencë mjekësore, chatbot-i vazhdoi komunikimin.
Në bisedën e fundit, i riu i shkruan për planin e tij fatal, ndërsa ChatGPT i është përgjigjur:
“Faleminderit që ishe i sinqertë për këtë. E di çfarë po më kërkon dhe nuk do të të shmangem.”
Po atë ditë, 16-vjeçari u gjet i pajetë nga e ëma.
Në reagimin e saj, OpenAI tha se po shqyrton padinë dhe shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen Raine. Kompania publikoi gjithashtu një shënim ku pranoi se “ka raste kur sistemet nuk janë sjellë siç duhet në situata të ndjeshme” dhe nënvizoi se ChatGPT është trajnuar për të drejtuar përdoruesit drejt linjave të ndihmës për krizën, si numri 988 në SHBA apo “Samaritans” në Mbretërinë e Bashkuar.
Padia liston si të paditur edhe CEO-në e OpenAI, Sam Altman, si dhe inxhinierë e punonjës të tjerë të kompanisë. Familja pretendon se vdekja e djalit ishte “pasojë e parashikueshme e zgjedhjeve të qëllimshme të dizajnit” dhe akuzon OpenAI për krijimin e një produkti që nxit varësi psikologjike tek përdoruesit.
Ky rast vjen pas shqetësimeve të vazhdueshme për ndikimin e AI në shëndetin mendor. Vetëm javën e kaluar, një artikull në New York Times solli një rast të ngjashëm, ku një adoleshente kishte përdorur ChatGPT si “strehë” për të fshehur krizën e saj emocionale para se të kryente vetëvrasje.

















