
SPAK dhe Policia godasin korrupsionin e ndërtimeve pa leje në Tiranë! Arrestohen 2 punonjës të IMT!
Dritare.net
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka ndërmarrë një operacion për goditjen e korrupsionit në radhët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Tiranë.
Deri tani janë arrestuar dy punonjës të kësaj strukture, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Të arrestuarit janë Gerald Fuçia dhe Edmond Çela. Ata ndodheshin së bashku në një lokal të njohur në zonën e Kombinatit në kryeqytet në momentin kur u arrestuan.
Ndërsa në kërkim është Klajdi Zhilla dhe një punonjës tjetër i IMT. Klajdi Zhilla është shoferi i drejtorit të IMT-së së Tiranës, Ersid Hasanllari.
Këta zyrtarë dyshohet se kanë marrë para nga një subjekt për tenderat, ndërsa janë arrestuar në një lokal në Kombinat.
Arrestimi mësohet se ka ndodhur në lokalin e ish-deputetit Mark Frroku, ku janë marrë dhe kamerat e sigurisë.
Operacioni i SPAK dhe Policisë u zhvillua pas një denoncimi të mbërritur më herët në polici, ku raportohej se punonjësit e IMT-së kërkonin dhe merrnin para nga biznese të ndryshme, në këmbim të mosveprimit ndaj shkeljeve./dritare.net

















