Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Demokraci pa ligj, çmimi i përgjakur i rrugëve tona!

Demokraci pa ligj, çmimi i përgjakur i rrugëve tona!

Nga Malvina Tare

Në Shqipërinë e vogël, njerëzit duket sikur çdo ditë janë në një luftë të heshur me njëri-tjetrin, me rrugën ku kalojnë, me timonin, me borien, me këmbësorët, madje ndonjëherë u shfryjnë edhe rrobave që mbajnë veshur në trup. Një arrogancë që të shoqëron nga mëngjesi në mbrëmje vonë. Edhe kur atëherë, pak përpara gjumit ti merr telefonin pasi ke mbaruar çdo punë, e nis e bën scrrollin e përditshëm të asaj ore. Edhe atëherë, ti sapo hap rrjetet sociale në ekran të shfaqen lajme të trishta, fëmijë të humbur nëpër plazhe, aksidente, njerëz që humbasin jetën çdo ditë nga infarktet, e jo më larg se dje një aksident nga ata të frikshmit, që të lebetisin, që të ngrenë mishin kokërr. Dy vajza të reja humbasin jetën në një aksident fatal, nga një parakalim i gabuar. Jo i tyre. Jo për fajin e tyre.
Ishin në punën e tyre, ashtu siç ne shkojmë çdo ditë. Ashtu si në Evropë ndonjëherë të rinjve u duhet të marrin disa mjete transporti publik për ta arritur, autobusin, trenin, tramin, për të arritur atje ku ata punojnë.
Ndërsa dy vajza studente të mjekësisë vdiqën në mes të rrugës. Sepse dikush jeton me ndërgjegje, e dikush tjetër jo, dikush lufton me mish e shpirt, e dikujt tjetër nuk i bëhet aspak vonë as për jetën tënde.
Vendi i paradokseve.
Këto vite tranzicion kanë nxjerrë në pah te shqiptarët disa sjellje që janë mbajtur të shtypura vetëm me forcë. Me një ligj e dorë të hekurt. Por, duket se ne e kuptuam demokracinë pa ligje, as për atë që gabon, e as për atë që ka të drejtë.
Madje ne as nuk i njohim ligjet e shtetit tonë. Nëse na pyet, ne si qytetarë jemi konfuzë.
Ne dimë e njohim vetëm atë që duam dhe kur duam, e dimë se mund ta marrim edhe jetën e tjetrit.
Ligji nuk i tremb disa njerëz, ata parakalojnë me makinë dhe të marrin jetën. Këta kërcënues të ekzistencës enden rrugëve të vendit pa kurrëfarë frike.

E ndërsa dy vajza, të vyera, që studionin për mjekësi e njëkohësisht punonin për të mbijetuar, humbën jetën dhe shkatërruan zemrat e prindërve.

Kështu nga pak disa shuhen e shumë të tjerë largohen, sepse njerëzit thyhen aq fort, atje ku nuk rregullon dot më as Zoti./dritare.net