Na ndiqni edhe në

Letër Psikologes

E kam shumë të vështirë të kërkoj falje. Çfarë të bëj?

E kam shumë të vështirë të kërkoj falje.

Përshëndetje Dritare.net dhe Psikologe Enertila


Unë që ju shkruaj jam një vajzë që kam shumë problem kërkimin e faljes në një situatë që duhet . Kur ka momente që unë duhet të kërkoj falje e kam tepër të vështirë dhe kjo më pengon në mendime dhe në veprimet e mia të mëvonshme në marrdhënie . Ju lutem ç’mund të më thoni ju për këtë që më ndodh mua?


Përshëndetje lexues të Dritare.net

Të kërkosh falje përfshin pranimin e gabimit , marrjen e përgjegjësisë për pasojat e tij dhe përdorimin e mënyrave të duhura për të shprehur keqardhjen tonë .

Ky proces kërkon empati, vetëdije, përulësi, guxim. Në bashkëveprimet me të tjerët, është e pamundur të shmangësh gabimet.

Ne të gjithë e dimë se gabimet mund të shkaktojnë dëm ose pakënaqësi për të tjerët dhe për veten tonë. Megjithatë, të kërkosh falje nuk është gjithmonë e lehtë.

Kur e kuptojmë se kemi bërë një gabim, kjo mund të ketë disa pasoja emocionale. Shkaktohet një sërë emocionesh komplekse, duke përfshirë fajin dhe turpin. Ndjenja e fajit lind kur perceptojmë se kemi shkelur vlerat tona ose kemi zhgënjyer dikë.

Mund të jetë një emocion i pakëndshëm dhe i vështirë për t’u menaxhuar, por është gjithashtu një shenjë pozitive, sepse nënkupton vetëdije për veprimet tona dhe pasojat e tyre për të tjerët, si dhe një ndjenjë përgjegjësie për sjelljen tonë.

Cilado qofshin emocionet që shoqërohen me aktin e kërkimit të faljes, thjesht duke e bërë këtë sinqerisht, sjell lehtësim, si për personin që kërkon falje, i cili mund të çlirohet nga faji, ashtu edhe për personin që e merr atë, i cili mund të përjetojë ndjenja faljeje, dhembshurie dhe pajtimi.

Kur nuk kërkohet falje, rrezikohet të dëmtohet besimi dhe lidhja emocionale me personin tjetër.

Në këndvështrimin tim, e dashur lexuesja jonë, për ta bërë sa më të lehtë kërkesën e faljes duhet të kuptoni se është e rëndësishme të reflektoni, të shqyrtoni situatën dhe të shikoni brenda vetes për të kuptuar motivet që fshihen pas veprimeve tuaja.

Pyeteni veten pse vepruat në atë mënyrë, cilat ishin qëllimet tuaja, si ndiheni dhe çfarë emocionesh po përjetoni. Bëjeni këtë pa gjykime, vetëjustifikime ose censurë, duke u angazhuar në një vetëanalizë transparente dhe të ndershme.

Një kërkim falje e vlefshme duhet të jetë e sinqertë dhe autentike. Pyesni veten tuaj, lexuesja jonë, nëse ju vjen vërtet keq për atë që ka ndodhur dhe nëse keni një dëshirë të sinqertë për të pranuar gabimin, për të respektuar ndjenjat e personit tjetër dhe për të riparuar dëmin.

Nëse po kërkoni falje vetëm për të shpëtuar reputacionin tuaj ose për të shmangur problemet, atëherë do të jetë një kërkim falje jo e vlefshme.

E dashur lexuesja jonë, të vësh veten në vendin e atyre që kanë vuajtur pasojat e gabimit tënd është thelbësore. Përpiqu të kuptosh ndikimin e veprimeve të tua dhe emocionet që mund të ketë ndjerë personi tjetër.

Për të rivendosur marrëdhënien, të dyja palët duhet të jenë të gatshme të ecin përpara. Kjo mund të kërkojë kohë, pasi personi i ofenduar mund të mos e përpunojë menjëherë faljen.

Prandaj, kur kërkoni falje, nuk duhet të prisni falje. Në vend të kësaj, është e rëndësishme të jeni të duruar me personin tjetër dhe ta kuptoni nëse ai nuk është gati ta pranojë atë. Në këtë rast, mund ta falënderoni personin tjetër që ju dha mundësinë të shpreheni dhe ta lini derën hapur për pajtim në të ardhmen.

Shpresoj shumë që këndvështrimi im t’ju ndihmojë sadopak në gjendjen tuaj. Gjithë të mirat!/dritare.net