Na ndiqni edhe në

Opinione

Katër rrëfime gushti

Katër rrëfime gushti

Nga: Veton Surroi

Gjenerali ka kujt t’i shkruajë, Rulfo si rrëfimtar pa libra, koha e përbindëshave e Gramscit dhe stina e pandërprerë kosovare

1.

I shkrova më në fund Rrahim Ademit. Ia lexova më në fund librin, dhe pra, më në fund arrita t’i shkruaja, ta përgëzoja për një dokument historik rreth luftës së Kroacisë për pavarësi. Libri i kujtimeve i gjeneralit të ushtrisë kroate Rrahim Ademi “Vetëm e vërteta” është shkruar prej një ushtari profesionist i shkolluar në Akademi ushtarake të ish-Jugosllavisë, njëri prej oficerëve më të rinj të saj dhe oficeri i parë shqiptar i APJ-së (i përndjekur), i lindur në Vushtrri e ka kryer shkollën e mesme aty, që kalon në ushtrinë kroate. Profesionisti që shkruan është një udhëheqës strategjik i luftës së Kroacisë në betejat e saj vendimtare për çlirimin e vendit: më duket se e shoh se si në vend të përshkrimit të ngjarjeve përqendrimi i tij është te hartat e detajuara të vijave të sulmit, pikave të lartësive që do kontrolluar, luginave ku duhet siguruar vijat mbrojtëse të tërheqjes, numrin e mjeteve të motorizuara, numrin e baterive artilerike dhe kalibrat e tyre së bashku me planin e detajuar se me sa batare e me çfarë intervalesh do hapur zjarr…

Legjenda për Rrahim Ademin është se i ka prirë mbrojtjes së Shibenikut, dhe me të, mbrojtjes së Dalmacisë. E vërteta është shumë më dramatike se legjenda, ngase ai ishte prijësi ushtarak i cili ndërtoi tërë strategjinë e operacioneve për çlirimin e Kroacisë dhe këtë e zbatoi duke qenë njëri prej komandantëve të spikatur të luftës e cila mbërriti disa kilometra prej Banjallukës. Aty bëhet kërkesa nga SHBA që të ndërpriten operacionet ushtarake; këtë ma ka konfirmuar disa herë Richard Holbrooke (dhe e ka të shkruar në libër), një akt që ka mundur ta ndërrojë historinë e 30 vjetëve të kaluar. Po të binte Banja Lluka gjërat do të ishin shumëçka ndryshe në Bosnjë e Hercegovinë, e mbase edhe në Ballkan Perëndimor.

Në një moment gjatë operacioneve në BeH, ministri i Mbrojtjes, Sushak i premton Rrahim Ademit se nëse e çlirojnë Bugojnon do ta marrë gradën e gjeneralit dhe si shpërblim edhe fabrikën e patatinave (në privatizim lufte). Rrahim Ademi çliroi qytetin, u bë gjeneral, refuzoi fabrikën.

Përgjatë tridhjetë vjetëve të kaluar, i pensionuar në Kroaci - dhe pasi që u akuzua, gjykua për krime lufte dhe u shpall i pafajshëm në gjyq - rrëfimi i tij mbulohet nga rrëfimet e “gjeneralëve të zyrave” të cilët tregojnë versionin e tyre të historisë, një ku ata janë heronjtë e betejave që dikush tjetër i ka fituar.

2.

E gjeta më në fund këtë gusht librin e pabotuar Juan Rulfos. Shkrimtari meksikan u bë i njohur në botë për tregimet “Fusha në zjarr” dhe romanin “Pedro Paramo”; thuhej se nuk kishte shkruar më, pos skenarëve për filma dhe njëri prej tyre nuk u bë as film e as roman, por një novelë me titull “Gjeli i artë”. Nëpër labirintet e internetit qe mundur të arrija të gjejë atë që kisha kërkuar në Meksikë në shitore librash. Në shitoret e librave në Meksikë, ku ende punojnë shitësit që kanë lexuar shumë prej librave apo kanë ndërmend të lexojnë shumë prej librave për të cilin pyesin klientët si puna ime, përgjigja për librin e munguar të Rulfos ishte se ai ka shkruar vetëm dy, përmbledhjen e tregimeve dhe romanin. Dhe kaq. Dhe pastaj kishte heshtur.

Megjithatë, duket se nuk është kështu. Rebeca Rojas, autore e biografisë së autorit “Juan Rulfo, arti i të rrëfyerit” tregon se shkrimtari, ndonëse nuk botoi më, nuk e braktisi rrëfimin. Nuk kishte tryezë dreke a darke, takimi me të njohur e të panjohur ku ai nuk do ta ritregonte jetën e tij, me detaje që hera-herës ishin të kundërta me njëra tjetrën.

Dikush e quante gënjeshtar, atribut që ndoshta mund t’u mvishej gjeneralëve rrëfimtarë që garojnë për të vërtetën me Rrahim Ademin, por që vështirë i ngjitej njeriut që kishte shkruar dy librat që shënojnë letërsinë latino-amerikane dhe botërore dhe që pastaj vazhdonte t’i rrëfente vetes dhe të tjerëve anë të panjohura, të panjohura deri atëherë edhe për veten, të jetës së tij si një mur i suksesshëm mbrojtjeje nga mërzia dhe boshllëku i përditshmërisë.

3.

Disi është shpeshtuar dalja e Antonio Gramscit në gusht, ndoshta jo vetëm në këtë gusht apo sivjet, ndoshta prej disa vitesh. Dhe jo aq ndër shqiptarë. Kur shqiptarët jetonin në socializëm, format e ndryshme të saj nga njëra dhe ana tjetër e kufirit, Gramsci ishte një lloj krenarie - edhe socialist, edhe italian, edhe me prejardhje shqiptare.

Tash po përmendet vetëm në Perëndim. Citohet ritualisht pjesa e konstatimit të tij nga “Fletorja e burgut” ku flet për tranzicionin. Të jetë shkrim për luftën e Rusisë në Ukrainë, për Gazën e Izraelin, për 200-ditëshin e presidentit Trump apo për momentin kur Inteligjenca artificiale tejkalon atë njerëzore, nxirret citati i Gramscit: “Kriza qëndron pikërisht në faktin se bota e vjetër po vdes dhe e reja ende nuk mund të lindë, tash është kohë përbindëshash”.

Do të jetë një përjetim i veçantë të citohet marksisti italian i burgosur nga Musolini në gazetat amerikane për të përshkruar ndonjërën prej krizave që po ndodhin në Amerikë apo gjetiu. Për më tepër që të cilësohet si “kohë përbindëshash”.

Vetëm se ky përjetim do të jetë dyfish më i veçantë kur të merret parasysh se ky citat nuk është krejtësisht i vërtetë. Gramsci shkroi kështu: “Kriza qëndron pikërisht në faktin se bota e vjetër po vdes dhe e reja ende nuk mund të lindë. Në këtë ndërmjetësi shfaqen një larmi simptomash të sëmura. Kalimi nga një formë në tjetrën nuk është i menjëhershëm; ai përfshin një periudhë të zgjatur lufte, gjatë së cilës veprojnë dhe përplasen shumë forca të ndryshme e kontradiktore”.

Dhe, kështu, krijoi një fjali, fitoi të drejtën universale të interpretimeve të fenomeneve shoqërore.

4.

Ndoshta Gramsci e shpjegon edhe gushtin.

Ka nja dhjetë vjet e ca që çdo gusht në Kosovë ka një apo tjetër manifestim krize. Herë për marrëveshje të Asociacionit, si më 2015. Herë për të formuar Qeveri si më 2017, herë për të biseduar rreth këmbimit të territoreve si më 2018, herë për të rrëzuar Qeveri, si më 2019, herë për të krijuar tollovi rreth targave e dokumenteve të tjera si më 2021 e 2022… dhe kështu me radhë.

Ndoshta më së lehti është të aplikohet formula se bota e vjetër po vdes dhe e reja ende është në procesin e saj të zgjatur të lindjes.

Apo se në pajtim me Gramscin tashmë e kemi të përcaktuar se gushti është tranzicioni i sigurt prej një stine problemesh kah tjetra, sepse në fund hallet e këtij vendi njohin një të vetme e të pandërprerë stinë. /dritare.net