Na ndiqni edhe në

Opinione

Shqiptarët, këta të pamposhturit!

Shqiptarët, këta të pamposhturit!

Nga Vasil Merko

Të rinj të papërkedhelur aq sa duhet. Të pa llastuar. Që kanë marrë jetën e tyre në dorë. Që nuk enden lokaleve dhe nuk merren me fjalë gjithë ditën. Që nuk presin lekun e prindërve dhe të familjarëve, por bartin mbi kurriz peshën e përkrahjes ekonomike të tyre.

Disa me shkolla të nisura por të papërfunduara. Disa me ëndërra të këputura pamëshirshëm nga realiteti ynë i përditshëm që nuk lejon askënd të frymojë lirisht. Disa me viza pune dhe shumë të tjerë në të zezë. I sheh në rrugët e qyteteve më të mëdha të Gjermanisë dhe mbarë perëndimit, të punësuar në vende të palakmuar, në punë të vështira dhe me punëdhënës shpesh shpirtzinj.

Të vendosur në banesa të përbashkëta ku u ofrohet shpesh vetëm një shtrat dhe elemente bazike. Të rraskapitur nga mundimi, ankthi dhe përpjekja për t’ia dalë. Pa e njohur gjuhën e vendit dhe shpesh pa akses në instancat e tij.

Historitë dhe rrëfimet e tyre janë të trishta. I dallon të këputur nëpër trena dhe autobusa kur shkojnë ose kthehen nga puna. Në kuzhina restorantesh apo si kamarierë. Në floktore apo qendra estetike. Si shpërndarës nëpër posta private.

I’u druhen kontrolleve të befta policore në vendet e punës apo nëpër shëtitjet në qytet. Por nuk i tremben jetës që e kanë fshirë për briri. Që sakrifikojnë, punojnë, kursejnë, luftojnë! Që bëjnë durim, që ulin zërin shpesh ndaj mijëra padrejtësive që hasin. Që krenarinë e ruajnë për të mbajtur familjet e tyre, prindërit, vëllezërit, motrat. Që veten e harrojnë autobusave, me xhepat bosh ose poshtë ndonjë ure ku i zë nata!

Është brezi që i pa prindërit e tij të emigronin nga Shqipëria, por vendi nuk ruajti për ta një fat më të mirë.

Është ky brez i fortë, guximtar dhe i pamposhtur që me shqipen e tij rrugëve të qyteteve të Gjermanisë të ngroh zemrën, të bën të kthesh kokën, të ndalësh për një çast dhe të mendosh. Dhe gjatë mendimeve të ngrysesh e pastaj të buzëqeshësh, pasi je i sigurt se në fund do i’a dalin.

Sepse shqiptarët jemi të pamposhtur!/dritare.net