
Rama: Trajtimi i mbetjeve, kapitulli më sfidues për BE. Përfshihuni për suksesin e Shqipërisë
Dritare.net
Reforma në menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe një plan masash ligjore e investimesh, si domosdoshmëri në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE - ishin në fokus të takimit të sotëm të zhvilluar me pushtetin vendor, nën drejtimin e Kryeministrit Rama dhe Ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.
Ja disa nga pikat kyçe të fjalës së kryeministrit Rama sot!
1. Qeveria prezanton projektligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve
Kryeministri Edi Rama njoftoi se projektligji i ri parashikon krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, një agjenci që do të përqendrojë gjithë procesin e trajtimit të mbetjeve dhe ku bashkitë do të jenë klientë, jo administratorë.
2. Kapitulli i mjedisit, më sfiduesi për BE-në
Rama theksoi se trajtimi i mbetjeve është kapitulli më sfidues në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe suksesin e tij e vendos vetëdijesimi i qytetarëve dhe përfshirja e pushtetit vendor.
3. Reforma për varrezat e makinave
Kryeministri paralajmëroi se ligji i ri do të adresojë problematikën e varrezave të makinave, duke i përfshirë në një sistem ligjor të qartë dhe të rregulluar, pasi aktualisht Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku ato ekzistojnë pa ligj.
4. Paketë reformash dhe investimesh për mjedisin
Ligji i ri dhe masat e shoqëruara synojnë harmonizimin me direktivat e BE-së, rritjen e riciklimit, rikuperimin dhe asgjësimin e mbetjeve, si dhe krijimin e fondeve për ekonominë e mbetjeve.
5. Rëndësia e bashkëpunimit dhe vetëdijesimit
Rama bëri thirrje për përfshirjen aktive të të gjithë niveleve të qeverisjes dhe qytetarëve në procesin e trajtimit të mbetjeve, duke e cilësuar këtë si kusht thelbësor për përmbushjen e objektivave të anëtarësimit në BE dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës në vend.

















