Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Plani gjerman për të kursyer pensionin që nga mosha 6 vjeç

Plani gjerman për të kursyer pensionin që nga mosha 6 vjeç

Qeveria gjermane planifikon që nga 1 janari 2026 të nisë një skemë të re të quajtur “Frühstart Rente” (“Pensioni me nisje të hershme”). Çdo fëmijë gjerman mbi 6 vjeç do të marrë 10 euro në muaj deri në moshën 18 vjeç, para që do të investohen në një fond aksionesh dhe do të mbeten të bllokuara deri në pension.

Kancelari Friedrich Merz e quan këtë nismë një leksion financiar për brezat e rinj: fëmijët duhet të mësojnë rëndësinë e kursimit dhe investimit. Objektivi është përmirësimi i kulturës financiare dhe lehtësimi i presionit mbi një sistem pensionesh që po përballet me kriza të mëdha demografike e buxhetore.

Por sindikatat gjermane e kundërshtojnë idenë, duke e quajtur “të rrezikshme” dhe larg realitetit, ndërsa kërkojnë që fondet të shkojnë për të forcuar pensionin publik. Sipas llogarive, deri në vitin 2036 19,5 milionë gjermanë do të dalin në pension, ndërsa në tregun e punës do të hyjnë vetëm 12,5 milionë të rinj.

Ekspertët thonë se skema është më shumë një eksperiment kulturor dhe edukativ sesa një zgjidhje konkrete. Nëse investimet ecin mirë, një fëmijë mund të kursejë deri në 65 mijë euro deri në pension; por nëse tregjet zhgënjejnë, kjo shumë mund të mbetet thjesht një iluzion financiar./L.F-dritare.net