
Ronaldo mbyll spekulimet: Qëndroj te Al Nassr deri në vitin 2027
Dritare.net
Cristiano Ronaldo ka nënshkruar një kontratë të re dyvjeçare me klubin saudit Al Nassr, duke konfirmuar zyrtarisht qëndrimin e tij në Saudi Pro League deri në vitin 2027.
Lajmi vjen pasi muaj më parë drejtori sportiv i klubit, Fernando Hierro, deklaroi se Al Nassr ishte i vendosur të mbante yllin portugez në skuadër, pavarësisht konkurrencës së fortë për firmën e tij.
Spekulimet për një largim të mundshëm nisën pas deklaratave të vetë Ronaldos, tashmë 40 vjeç, i cili kishte lënë të kuptohej se ndeshja e fundit e sezonit ndaj Al-Fateh mund të kishte qenë e fundit me fanellën e Al Nassr.
Por me firmosjen e kontratës së re, pesë herë fituesi i Topit të Artë ka mbyllur çdo debat rreth të ardhmes së tij, duke treguar besnikëri ndaj klubit dhe projektit të tij në Arabinë Saudite.
“Një kapitull i ri fillon,” shkroi Ronaldo në rrjetet sociale. “I njëjti pasion, e njëjta ëndërr. Le të bëjmë histori.”/K.C/dritare.net

















