
Super VIP-at pushtojnë Venecian për dasmën e Bezos dhe Sánchez
Dritare.net
Një atmosferë sureale përfshiu mbrëmjen e djeshme lagjen Cannaregio në Venecia, ku u zhvillua festa e parë e asaj që është quajtur “dasma pa fund” mes miliarderit Jeff Bezos dhe partneres së tij Lauren Sánchez. Ceremonia zyrtare do të mbahet sot në ishullin San Giorgio. Edhe pse nuk u "militarizua" siç ishte parashikuar nga disa, qyteti ishte nën masa të rrepta sigurie me praninë e policisë, njësive antiterror, qenve të nuhatjes dhe policisë lokale.
Çifti mbërriti i buzëqeshur përballë dhjetëra fotografëve dhe gazetarëve që ishin vendosur në dritare të apartamenteve përreth, me qira deri në 600 euro, madje me pamje më të mirë deri në 1200 euro. Organizimi ishte perfekt, si gjithmonë nën kujdesin e specialistëve të eventeve Lanza & Baucina, edhe pse nuk munguan thashethemet për festa alternative në Torcello.
Mëngjesi nisi me një protestë nga 43 aktivistë të Extinction Rebellion në sheshin Shën Mark, të cilët inskenuan një dasmë të rreme të “Bezos-ëve”, duke shkaktuar ndërhyrjen e zjarrfikësve. Të gjithë u identifikuan dhe pritet të gjobiten, pasi një urdhër i Ministrisë së Brendshme ndalon manifestimet jo të autorizuara në atë shesh.
Për adhuruesit e personazheve të famshëm, mbrëmja ishte një spektakël i vërtetë. Oprah Winfrey, mbretëresha Rania e Jordanisë, Kim dhe Khloé Kardashian, Tom Brady dhe Bill Gates ishin disa nga të ftuarit. Leo DiCaprio mbërriti me kapele të ulur mbi fytyrë, sikur të ishte ai në qendër të vëmendjes.
Një mikpritje më intime ishte organizuar më parë nga stilistja Diane von Fürstenberg në Palazzo Brandolini, me pjesëmarrjen e Bezos, partneres së tij, fëmijëve dhe babait të tij.
Lauren Sánchez kishte veshur një fustan të markës Schiaparelli, të përzgjedhur në Paris me ndihmën e Anna Wintour. Festa kishte shije italiane: kuzhinierë napolitanë, muzikë live me këngë nga Al Bano e Romina deri te Domenico Modugno dhe Peppino di Capri, ndërsa në sfond dëgjohej edhe “Pretty Woman”.
Në deklaratat e tyre, çifti shprehu admirim për qytetin. Bezos tha: "Venecia nuk është thjesht një qytet për festën tonë, por pjesë e historisë sonë. Është një privilegj të jemi këtu dhe të ndihmojmë në ruajtjen e bukurisë së saj për brezat që vijnë". Lauren shtoi: "Është vendi ideal për një faqe të re, një fillim të ri".
Një event luksoz, me shije italiane dhe nën hijen e një dashurie që tashmë kërkon të hyjë në histori – jo vetëm për shkëlqimin, por edhe për simbolikën./L.F-dritare.net

















