Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Em dash, shenja e pikësimit që po na e imponon ChatGPT-ja

Em dash, shenja e pikësimit që po na e imponon ChatGPT-ja

Nga Irida Xhura

ChatGPT-ja është tashmë pjesë e përditshmërisë së gjithkujt që ka nevojë të hartojë një mesazh, një shkresë, një e-mail apo edhe thjesht të gjejë përgjigje për pyetjet që i lindin. Pavarësisht përpjekjeve për të ndërgjegjësuar të rinjtë mbi disavantazhet e përdorimit të shpeshtë të ChatGPT-së, duket se kjo është kthyer në një luftë me mullinjtë e erës. Ja ku gjendemi sot përballë shkrimeve të përsosura nga ana drejtshkrimore, përgjithësisht të sakta nga ana gramatikore dhe sintaksore, por me një veçori të pazakontë për gjuhën shqipe nga ana e pikësimit.

A e keni vënë re që në shkrimet e gjeneruara nga ChatGPT-ja shfaqet shpesh kjo shenjë pikësimi (—)?
Kjo shenjë quhet em dash, sepse ka gjerësinë e shkronjës “M” në shtypjen tradicionale. Përdorimet më të zakonshme të saj janë:

1. Për të theksuar një ndërprerje ose pauzë në fjali:
Ajo ishte gati ta thoshte të vërtetën — por u tërhoq në çast.
2. Për të futur informacion shtesë ose për të zëvendësuar kllapat/presjet:
Vëllai im — ai që jeton në Gjermani — do të vijë për vizitë javën tjetër.
3. Në fund të fjalisë, për të treguar ndërprerje:
“Nëse do të kisha kujtuar të—”, ajo heshti papritur.
Kjo shenjë pikësimi nuk ekziston në sistemin standard të gjuhës shqipe dhe, për të qenë korrektë me përdorimin e saj, duhet të zëvendësohet me shenjat e mëposhtme:

Shenjat e pikësimit që zëvendësojnë shenjën em dash në shqip:

1. Presja (,)

Përdoret për të futur informacion shtesë në fjali.
Shembull me em dash:
Motra ime — më e vogla në familje — është shumë e talentuar.
Në shqip me presje:
Motra ime, më e vogla në familje, është shumë e talentuar.

2. Kllapat (())

Përdoren për të futur sqarime shtesë, më neutrale ose informuese.
Shembull me em dash:
Vëllai im — ai që jeton në Itali — po vjen për pushime.
Në shqip me kllapa:
Vëllai im (ai që jeton në Itali) po vjen për pushime.

3. Pikë e presje (;)

Përdoret për të ndarë dy ide që lidhen, por janë të pavarura.
Shembull me em dash:
Ai kishte vetëm një dëshirë — të kthehej në shtëpi.
Në shqip me pikë e presje:
Ai kishte vetëm një dëshirë; të kthehej në shtëpi.

4. Pikë (.)

Kur fjalia ndahet plotësisht për të theksuar idenë.
Shembull me em dash:
E dinte çfarë donte — nuk kishte më dyshime.
Në shqip me pikë:
E dinte çfarë donte. Nuk kishte më dyshime.

5. Vizë e zakonshme (-)

Përdoret kur nuk ka mundësi teknike për të shtypur em dash.
Shembull:
Ai — ndryshe nga të tjerët — nuk foli asnjë fjalë.
Ai - ndryshe nga të tjerët - nuk foli asnjë fjalë.

Pse është e rëndësishme të respektojmë shenjat e pikësimit të gjuhës shqipe?

1. Për të ruajtur normat gjuhësore standarde

Gjuha shqipe ka një sistem të kodifikuar të drejtshkrimit, ku përfshihen edhe rregullat e pikësimit. Ky sistem siguron që:

• Tekstet të jenë të kuptueshme dhe të qarta për të gjithë lexuesit;
• Të shmangen keqkuptimet ose interpretimet e gabuara;
• Të ruhet uniteti i gjuhës së shkruar në libra, dokumente, shkolla, media etj.
2. Për të shmangur huazimet e panevojshme gjuhësore

Shenja të tilla si em dash (—) i përkasin kryesisht anglishtes dhe gjuhëve që përdorin një sistem tjetër pikësimi. Në shqip:

• Em dash-i nuk është pjesë e sistemit standard;
• Përdorimi i tij krijon ndjesinë e një “huazimi” të panevojshëm dhe të panatyrshëm në një tekst shqip./dritare.net