Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Panik në Ksamil, zjarri afrohet te hotelet

Panik në Ksamil, zjarri afrohet te hotelet

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pasditen e sotme në Ksamil, duke vënë në rrezik serioz banesat dhe hotelet në zonën turistike. Flakët janë përhapur me shpejtësi dhe ndodhen shumë pranë ndërtesave, duke shkaktuar panik te banorët dhe pushuesit.

Zjarrfikëset ndodhen në terren dhe po punojnë intensivisht për shuarjen e flakëve, ndërsa situata paraqitet e vështirë për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta.

Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri është aktivizuar në fshatin Çukë, duke u përhapur drejt zonës malore të Metoqit. Terreni i thyer dhe era kanë ndihmuar përhapjen e shpejtë të flakëve, duke rrezikuar zonat përreth.

Paralelisht, një zjarr i fuqishëm ka përfshirë edhe një zonë bregdetare pranë Athinës, ndërkohë që autoritetet greke po luftojnë për ta vendosur nën kontroll.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 8 vatra zjarri në vend, të cilat janë izoluar me sukses. Megjithatë, autoritetet përsërisin thirrjen për qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal në këto ditë me temperatura të larta dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet zjarrfikëse në rast se vërejnë ndonjë vatër zjarri./K.C/dritare.net