
Izrael vs Iran: Kur shërbimet sekrete transformojnë luftën!
Dritare.net
Nga Evarist Beqiri
Nga perspektiva klasike e luftës, fitoret vendimtare kërkojnë trupa në terren dhe kontrollin fizik të hapësirës. Gjithmonë, luftërat kanë ndodhur duke shkelur kufirin, por distanca ajrore midis Izraelit dhe Iranit është 1700 km. Për të parën herë në histori, kjo luftë na tregon një paradigmë të re. Jemi në epokën ku inteligjenca, jo vetëm teknologjia, mund të gjunjëzojë një armik pa e shkelur me çizme tokën e tij.
Më herët bombardimet ajrore janë përdorur për të fituar avantazhe në negociatat diplomatike, pa pasur efekte të mëdha në terren. Sulmet ajrore kanë shërbyer si pararendëse të pushtimit tokësor, si i vetmi mjet që garantonte suksesin përfundimtar. Këtë paradigmë ne e kemi parë në luftërat në Kuvajt, Irak, Kosovë dhe Afganistan.
Por tashmë, sukseset e fundit të Mossadit, Amanit dhe sidomos të njësisë elitare 8200, i kanë çuar kapacitetet e inteligjencës izraelite në një nivel që pak vende mund ta ëndërrojnë. Një ndërthurje e aftësive të avancuara të mbledhjes së informacionit, përdorimit të inteligjencës artificiale dhe goditjes kirurgjikale në kohë reale, ka prodhuar rezultate që më parë do të kërkonin muaj apo vite operacionesh të përgjakshme në terren.
Pra, nuk bëhet fjalë për thjesht dhe vetëm një teknologji e re. Është një revolucion në vetë natyrën e luftës. Në vend të ofensivave masive tokësore, Izraeli ka goditur drejtpërdrejt objektivat më të rëndësishëm të Iranit: strukturat e programit bërthamor, komandantët e Gardës Revolucionare dhe shkencëtarët kryesor të armatimit. Dhe e gjitha kjo është realizuar në lëvizje, me një ritëm marramendës që kërkon informacion të përditësuar çdo minutë, një pasqyrë të përhershme të fushëbetejës dhe gatishmëri për të reaguar në çast.
Përballë kësaj vale goditjesh, Irani është përgjigjur me godite të pasakta raketash dhe retorikë të dobët. Aleati i tij tradicional, Hezbollahu, është befas pasiv, si pasojë e sulmit të pajisjeve elektronik në Liban dhe Siri, më 17-18 shtator 2024. Ndërkohë, Izreali përfitoi nga vakumi i pushtetit pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad në Siri. Ata zgjeruan më tej kontrollin e territorit në Lartësitë Golan dhe dobësuan kapacitetet e ushtrisë siriane nëpërmjet sulmeve ajrore, më 8 dhjetor 2024. Tashmë, Libani dhe Siria janë jashtë sferës së influencës së Iranit. Teherani, lideri i Frontit të Rezistencës, i gjendur nën breshërinë e bombardimeve izrealite dhe amerikane, pranoi kushtet e imponuara të armëpushimit.
Një dimension thelbësor i këtij transformimi është mësimi që Izraeli nxori nga dështimi i tij në Liban më 2006. Aty e ka zanafillën një reformim i thelluar i inteligjencës: investim në talente, strukturim të ri të operacioneve, integrim të inteligjencës artificiale dhe analizës në kohë reale. Rezultati është i dukshëm: një supremaci në terren, që e zhbalancon teatrin e luftës në mënyrë dramatike. Por, këtu qëndron edhe rreziku më i madh, kur një shtet arrin një avantazh kaq të madh operacional. Është tundimi për të ndërhyrë gjithmonë me forcë. Për të ngulur "gozhdë" kudo. Kur një armë bëhet kaq precize dhe e besueshme, koncepti i vetëpërmbajtjes fillon të zbehet.
Për komunitetin ndërkombëtar dhe veçanërisht për shtetet e vogla si Shqipëria, ky zhvillim ka dy pasoja të mëdha. Së pari, diplomacia nuk mund të veprojë më jashtë logjikës së inteligjencës. Aftësia për të kuptuar, analizuar, parashikuar dhe parandaluar është jetike. Së dyti, vendet e vogla nuk mund të mbeten më thjesht spektatore. Ato duhet të ndërtojnë ekosisteme të tyre të inteligjencës strategjike, të paktën për mbrojtjen kombëtare. Në një kohë kur informata është më vdekjeprurëse se një batalion, edhe mungesa e saj është më e rrezikshme se kufiri i pambrojtur.
Megjithëse, tani të gjithë pretendojnë fitoren, qëllimi përfundimtar i Izraelit mbetet ndryshimi i regjimit në Iran, por duket se SHBA-të nuk janë dakord. Ndërkohë, sipas një vlerësimi të fundit të inteligjencës amerikane, programi bërthamor iranian nuk është asgjësuar totalisht, por vetëm sa është vonuar për disa muaj. Paqja në Lindjen e Mesme nuk është akoma e plotë dhe e qëndrueshme. Gjithsesi, me përfundimin e "Luftës 12 Ditore", kemi një realitet të ri: ku dija sundon para forcës dhe inteligjenca komandon para çdo arsenali. Pyetja që shtrohet për botën mbarë është: kush është gati për këtë kapitull të ri të luftës?! /dritare.net

















