
GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Metës, mbetet në burg për akuzat e SPAK
Dritare.net
Gjykata e Posaçme (GJKKO) vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë për Ilir Metën, duke e lënë në burg. Vendimi vjen pasi SPAK dorëzoi prova të reja në dosjen kundër Metës, i cili mori pjesë vetë në seancë dhe kërkoi një masë më të butë sigurie.
Mbrojtja e Metës kundërshtoi provat e reja, duke mohuar përfshirjen e tij në çështjen e lobimit të LSI në SHBA dhe në aferat korruptive që përfshijnë përdorimin e kartave bankare nga ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Avokati i Metës theksoi se ky i fundit nuk kishte dijeni për përdorimin e këtyre kartave, që dyshohet se janë dhënë nga biznesmeni Adrian Shatku – kushëri i Kryemadhit.
Mbrojtja argumentoi gjithashtu se Meta vendosi të divorcohej nga Kryemadhi pikërisht pas zbulimit të një karte të dyshuar gjatë një kontrolli në banesën e nënës së saj. Sipas tyre, akuzat janë të pabazuara dhe tendencioze.
Ilir Meta ndodhet në burg prej tetorit 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie në lidhje me dosjet CEZ-DIA, lobimin në SHBA, si dhe hetimin pasuror. Me të njëjtat akuza është marrë e pandehur edhe Monika Kryemadhi./L.F-dritare.net

















