
Gëzim Tushi: Vlora, qyteti që nuk u përkul, por shpërtheu
Dritare.net
Në një rrëfim emocional dhe sociologjik në emisionin “Dekalog” të Roland Qafokut në DritareTV, profesori dhe studiuesi Gëzim Tushi rikthehet te rrënjët e tij, qyteti i Vlorës, për të analizuar jo vetëm karakterin e vlonjatëve, por edhe krizën e tranzicionit shqiptar. Ai e përshkruan Vlorën si një qytet të ndjeshëm ndaj padrejtësisë, të pamposhtur nga shtypja dhe të lindur për të reaguar.
“Vlora nuk është qytet që përkulet, vetëm shpërthen kur ndjen padrejtësi,” – thotë Tushi, duke e lidhur shpërthimin e vitit 1997 me humbjen totale të besimit ndaj shtetit.
Nga dështimi i elitave te mangësitë e tranzicionit politik, Tushi nuk kursen kritikat ndaj sistemit që u ndërtua pas viteve ’90.
“Vlora është qytet me inteligjencë të ndjeshme ndaj padrejtësisë. Nuk përkulet, por reagon. Edhe në vitin 1997, ajo nuk u përkul. Ishte shpërthim pas një padrejtësie të thellë dhe një humbjeje besimi totale ndaj shtetit,” thekson Tushi. Ai ndalet edhe te tiparet antropologjike të vlonjatëve: “Janë krenarë, të ndershëm, kritikë, të drejtë dhe herë-herë të padurueshëm ndaj abuzimit me pushtetin. Janë të ndjeshëm ndaj fjalës së lirë dhe kanë një inteligjencë sociale që nuk i toleron padrejtësitë.”, thotë Tushi./K.C/dritare.net

















