
Çfarë duhet të bësh dhe mos bësh kur është vapë
Dritare.net
Vapa e madhe dhe shtypëse nuk po zbutet. Sot, një e treta e amerikanëve janë nën alarm për temperaturat ekstreme. Phoenix ka arritur 110°F (43°C) për dy javë rresht, dhe në fundjavë, Death Valley në Kaliforni mund të thyejë rekordin historik prej 130°F (54°C). Edhe temperatura më të ulëta se këto mund të jenë të rrezikshme: janë raportuar vdekje dhe shumë raste shtrimesh në spitale në Teksas, Luiziana, Arizona dhe Florida. Një raport i ri thotë se vala e të nxehtit në Evropë verën e kaluar vrau mbi 60,000 persona.
Qëndrimi në ambiente me ajër të kondicionuar dhe hidratimi janë thelbësorë. Dehidratimi serioz ndikon te qarkullimi i gjakut, rrit temperaturën trupore, shkakton lodhje, marramendje, dhe mund të çojë në goditje nga vapa. Humbja edhe e 10% të ujit trupor është shumë e rrezikshme, dhe edhe 1% ndikon në funksionet trupore. Trupi freskohet në dy mënyra: duke dërguar më shumë gjak në lëkurë dhe përmes djersitjes, që përkeqësohet nëse nuk je i hidratuar.
Rreziku rritet kur lagështia është e lartë dhe temperaturat mbi 90°F (32°C). Sasia e ujit që duhet varet nga shumë faktorë, por në kushte normale, rekomandohen 3.7 litra në ditë për burrat dhe 2.7 litra për gratë, më shumë kur ka vapë ekstreme.
Këshillat kryesore janë: mbani ujë afër dhe kontrolloni ngjyrën e urinës, e zbehtë dhe e shpeshtë është shenjë e mirë. Të rrezikuar janë më shumë të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe ata që marrin ilaçe për tensionin.
Uji është opsioni më i mirë. Uji me feta frutash apo uji me gaz janë gjithashtu të mirë. Shmangni kafenë e tepërt, pijet me sheqer dhe alkoolin. Edhe ushqimi me përmbajtje uji (perime e fruta) ndihmon.
Uji i ftohtë (rreth 10°C) është më efikas. Filloni hidratimin që në mëngjes, zakonisht zgjoheni të dehidratuar. Dhe pas daljes nga nxehtësia, vazhdoni të pini ujë sepse djersitja vazhdon.
Hidratimi nuk është zgjidhje magjike, por është mbrojtje e rëndësishme. Ndërsa valët e të nxehtit bëhen më të shpeshta, të kuptuarit dhe kontrolli i hidratimit janë jetike. Nuk mund ta kontrollosh vapën, por mund të kontrollosh sasinë e ujit që pi./K.C/dritare.net

















