
Roland Bimo: Ju tregoj të fshehtat e samitit të NATO-s!
Dritare.net
Në një analizë të thelluar në emisionin Shqip të Dritan Hilës në DritareTV, ish-ambasadori Roland Bimo komentoi zhvillimet në samitin e NATO-s në Hagë, duke theksuar tensionet e fshehura, sfidat reale dhe arsyet e vërteta që fshihen pas angazhimeve për rritjen e buxheteve të mbrojtjes. Sipas tij, megjithëse në pamje të parë u përcoll si një takim i suksesshëm, samiti tregoi më shumë përçarje të brendshme dhe një përpjekje të dukshme për të kënaqur SHBA-në, në veçanti presidentin Trump.
“Në përfundim të samitit kam përshtypjen që të gjithë janë shumë të lumtur dhe të kënaqur me atë që arritën – me përjashtim të presidentit të Ukrainës që u la krejt në hije,” tha Bimo, duke vënë në dukje mungesën e vëmendjes ndaj luftës në Ukrainë.
Ai e quajti samitin një skenë teatrale, ku vendet evropiane u përpoqën me çdo kusht të neutralizonin zërat që thoshin se SHBA mund të tërhiqte trupat nga Europa. Për këtë, sipas tij, liderët evropianë vepruan me servilizëm të tepruar ndaj Donald Trump-it.
“Letra që Mark Rute i dërgoi Trump-it ishte njësoj si ato letrat e kohës së komunizmit, ku i thureshin lavde dhe hymne hierarkëve të partisë,” u shpreh Bimo.
Një pjesë e madhe e diskutimit u përqendrua te angazhimi i vendeve anëtare për të çuar shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së në një periudhë 10-vjeçare. Por Bimo e konsideroi këtë zotim si jorealist.
“Ata që morën angazhimin për 5%, pas 10 vitesh nuk do të jenë më as në politikë, ndoshta as në jetë,” tha ai me tone ironike, duke shtuar se në asnjë vend evropian nuk ka hapësirë për të rritur më tej taksat apo për të marrë borxhe të reja pa tronditur themelet sociale.
Në analizën e tij, Bimo theksoi gjithashtu se rreziku rus është njëkohësisht real dhe imagjinar.
“Është real sepse Rusia ka forcuar në mënyrë të jashtëzakonshme industrinë e luftës dhe njohurinë për të luftuar në kushte të reja. Por është edhe imagjinar, sepse përdoret si kartë politike nga liderët aktualë të Evropës për të qëndruar në pushtet,” u shpreh ai.
Ai vuri në dukje edhe disbalancën e thellë mes kapaciteteve ushtarake të Rusisë dhe atyre të vendeve të NATO-s.
“Një tank gjerman kushton 29 milionë euro, një tank rus 4 milionë euro. Ja ku fillon gjithë fryrja e shifrave në Perëndim,” tha Bimo, duke theksuar se vendet evropiane harxhojnë shuma të mëdha, por pa ndonjë forcë reale ushtarake të prekshme.
Sipas ish-ambasadorit, pas fasadës së “unitetit” të samitit, qëndron një ndasi reale politike dhe ideologjike brenda vetë Perëndimit.
“Ka dy rrugë për të përballuar kërcënimin rus: ose duke u armatosur dhe shkuar drejt një lufte që do të kërkojë gjak të ri, ose përmes dialogut, një qasje që po mbështetet gjithnjë e më shumë nga opozitat në rritje në shumë vende të Evropës,” përmbylli Bimo./K.C/dritare.net

















