
Burri që shpëtoi rrogat në mes të anarkisë. Historia e jashtëzakonshme e Telat Haxhiut në vitin 1997
Dritare.net
Në Shqipërinë e zhytur në kaos, ku jeta nuk vlente asgjë dhe rrugët ishin të pushtuara nga armët, një burrë mori përsipër një mision vetëvrasës: të çonte rrogat e punëtorëve në Burrel. Vetëm, me katër thasë para në një ‘Benz’, në mes të bandave dhe frikës.
Më 30 mars 1997, në kulmin e krizës së shtetit shqiptar, Telat Haxhiu emërohet drejtor i Uzinës së Ferrokromit në Burrel. Vetëm pak ditë më pas, ai merr një vendim që pak do ta kishin guxuar: të udhëtonte drejt Tiranës për të tërhequr rrogat e qindra punëtorëve, në një vend ku çdo lëvizje me para mund të përfundonte në vdekje.
Rrëfimi i tij për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin Shqip – DritareTV është një kapitull heroizmi civil, një histori që ka ndodhur pa kamera, pa lajmërime, pa pretendime për lavdi.
“Ishte marsi i ’97-ës. Nuk kishte shtet, nuk kishte rend. Kishim vetëm një makinë. Mora makinën e një shoku, futbollistit Sajmir Patushi. I thashë që po shkoja në Peshkopi. Nuk i tregova askujt të vërtetën, as familjes, as vëllait,” rrëfen Haxhiu.
Të nesërmen, nga dega e Tirana Bank në rrugën “Zogu i Parë” ku drejtor ishte Eduard Shalsi, Haxhiu merr katër thasë me 132 milionë lekë të vjetra, paga e muajit për punëtorët e Uzinës. “Shalsi më tha: ‘Je i çmendur. Ne i çojmë me furgon të blinduar nga Zogu i Parë në Kombinat, e ti do shkosh në Burrel me një makinë të zakonshme?!’”
Në kthim, kur kalon Mamurrasin, një makinë e dyshimtë i vihet nga pas. “Në Lagjen e Dritës mendova se ishte fundi. Vendosa: nëse do më vrisnin, të më vrisnin publikisht, jo të zhdukesha rrugëve.” Por fati i buzëqeshi. Makina ndaloi, dhe personi brenda e ngatërroi për dikë tjetër. Haxhiu jo vetëm i shpëtoi, por e ndihmoi dhe njeriun që e kishte ndjekur të shkonte në Burrel.
Paratë qëndruan gjithë natën në shtëpinë e vjehrrit të tij. Të nesërmen, i çoi në uzinë. Askush nuk dinte asgjë. “Kur i tregova ekonomistit thasët me para, mbeti pa fjalë.”
Kjo skemë u përsërit çdo muaj deri në shtator 1997. Pa mbrojtje. Pa pagesë shtesë. Pa celular. Vetëm me bindjen se po bënte gjënë e duhur.
“Ishim idealistë. Të gjithë.”
Telat Haxhiu sot nuk kërkon medalje. Vetëm që historia të mos harrohet. “Nuk mora asnjë lek për vete. I thoja vetes: Faleminderit Zot që m’i dhe mundësinë t’ua çoj këtyre njerëzve.”
Në kohë ku ideali është mall i rrallë, rrëfime si ky i Telat Haxhiut janë frymëzim. Dhe kujtesë se Shqipëria është ndërtuar edhe nga njerëz që bënë gjënë e drejtë, kur gjithçka thoshte të bëje të kundërtën./dritare.net

















