
Manastirliu: Këtë vit, s'ka telefona në shkolla!
Dritare.net
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka shpallur zbatimin e rregullave të reja për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera të ngjashme në institucionet arsimore parauniversitare.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi se ky vendim ka për qëllim të krijojë një ambient më të qetë dhe më të përqendruar tek nxënësit.
“Shkolla është vendi ku ndërtojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Këtë vit po e forcojmë rregullin e ndalimit të përdorimit të telefonave celularë, një praktikë e ndjekur edhe në shumë vende europiane, sepse rezultatet janë të qarta: më pak shpërqendrim dhe më shumë sukses në mësim,” – deklaroi ajo.
Manastirliu sqaroi se rregulli i ri nuk synon përjashtimin e teknologjisë, por përdorimin e saj në mënyrën e duhur. Ajo iu referua studimeve ndërkombëtare, sipas të cilave përdorimi i shpeshtë i celularëve ul përqendrimin dhe aktivizimin e nxënësve, ndërsa në disa raste rrit edhe rrezikun e bullizmit.
Sipas udhëzimit, nxënësit nuk duhet të marrin celularë në shkollë. Në rastet kur ka nevojë të justifikuar, telefoni dorëzohet në klasë dhe mbahet i fikur deri në përfundim të orarit mësimor. Për rastet urgjente, komunikimi me prindërit do të bëhet vetëm përmes mësuesve ose drejtorisë së shkollës.
Ministrja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të prindërve dhe mësuesve për të garantuar zbatimin e këtij rregulli. “Ky është një angazhim i përbashkët. Roli i prindërve është të përforcojnë mesazhin në shtëpi, ndërsa mësuesit duhet të jenë shembull për nxënësit,” – tha Manastirliu.
Në përmbyllje, ajo uroi nxënësit dhe prindërit për nisjen e vitit të ri shkollor, duke bërë apel për respekt, bashkëpunim dhe përdorim të përgjegjshëm të teknologjisë./L.F-dritare.net

















