
Ndryshime në listën e Kombëtares para ndeshjeve me Gjibraltarin dhe Letoninë
Dritare.net
Kombëtarja shqiptare do të paraqitet me disa ndryshime në listën e lojtarëve për dy ndeshjet e shtatorit kundër Gjibraltarit dhe Letonisë.
Mbrojtësi Adrian Bajrami nuk do të jetë pjesë e ekipit, pasi ka vendosur të luajë për Zvicrën. Pas këtij vendimi, trajneri Silvinjo ka ftuar mbrojtësin Maldini Kacurri, i cili do të bashkohet me skuadrën në kampin stërvitor në Malaga gjatë të hënës. Kacurri, i cili ka qenë më parë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave U-17, U-19 dhe U-21, ftohet për herë të parë në Kombëtaren A.
Një tjetër ndryshim në listë vjen për shkak të dëmtimit të Ylber Ramadani, i cili nuk do të mund të luajë. Në vend të tij, trajneri ka thirrur mesfushorin Enis Çokaj, i cili ka luajtur më parë 5 ndeshje me Kombëtaren A dhe aktivizohet te Levadiakosi në kampionatin grek.
Edhe Ernest Muçi nuk do të jetë i gatshëm për këto dy ndeshje për shkak të dhimbjeve të mesit dhe inflamacionit të diskut. Pas konsultimeve me stafin mjekësor të klubit dhe doktorin e Kombëtares, është vendosur që ai të mos ftohet.
Për herë të parë me Kombëtaren A do të grumbullohet edhe sulmuesi Cristian Shpendi, i cili ka pasur më parë aktivizime me ekipet kombëtare U-19 dhe U-21./K.C/dritare.net

















