Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dënohet me burgim të përjetshëm Taulant Malaj, vrau vajzën dhe fqinjin

Dënohet me burgim të përjetshëm Taulant Malaj, vrau

Gjykata e Foggias në Itali ka dhënë vendimin përfundimtar ndaj Taulant Malajt, 47-vjeçarit shqiptar që tronditi opinionin publik italian dhe shqiptar në maj të vitit 2023 me një krim të rëndë familjar.

Malaj është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për vrasjen me dashje të vajzës së tij 16-vjeçare, Jessica Malaj, dhe të fqinjit italian Massimo De Santis. Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin Torremaggiore, në jug të Italisë, ku Malaj punonte si pastiçier.

Sipas hetimeve të Prokurorisë italiane, Malaj ka vrarë fillimisht fqinjin De Santis, 51 vjeç, për të cilin dyshonte se kishte një lidhje intime me ish-bashkëshorten e tij, Tefta Malaj. Pas kësaj, ai goditi për vdekje vajzën e tij Jessica, e cila thuhet se tentoi të mbronte nënën nga agresioni.

Krimi u zbulua pasi gruaja, Tefta Malaj, arriti t’i mbijetojë plagëve dhe të thërrasë ndihmë. Ngjarja u dokumentua gjithashtu nga kamerat e sigurisë në banesë, ku Malaj kishte vendosur kamera për të ndjekur lëvizjet e ish-bashkëshortes.

Vendimi i Gjykatës vjen pas një procesi të ndjekur me shumë vëmendje në media dhe shoqërinë italiane, ku u theksua akti i rëndë dhe i pashpjegueshëm i një babai ndaj vajzës së vet. Burgimi i përjetshëm konsiderohet si një ndër dënimet më të rënda të parashikuara nga sistemi italian i drejtësisë.