Na ndiqni edhe në

Opinione

Rrëfimi i një polici

Rrëfimi i një polici

Nga Agim Basha
Fillimisht, le të sqarojmë diçka, nëse mendon se policia është “karrierë e sigurt”, “profesion me autoritet” apo “shërbim fisnik”, të lutem, harroje filmin amerikan që ke në mendje. Kjo është Shqipëria. Këtu ne nuk mbajmë syze dielli ndërsa zbresim nga makina. Këtu ne mbajmë fletëgjobat e lagura nga shiu dhe dëgjojmë “pse mua?” në tetë dialekte të ndryshme.
Policia në Shqipëri është një sport ekstrem, por pa helmetë dhe pa siguracion. Ti je njëkohësisht gjyqtar, psikolog, kameraman, negociator, kapter, roje e trafikut dhe, në ditët e mira, edhe rrufepritës i mllefit popullor.
Po të vë faj, qytetar i dashur? Aspak. Edhe ti je lodhur. Jeton në një vend ku ligji herë shihet si rregull, herë si pengesë. Ku gjoba nuk shihet si pasojë e shkeljes, por si ofendim personal. Ku arrestimi i një krimineli është “show”, dhe mosarrestimi është “dështim total i shtetit”. Je në dilemë të përhershme a është polici “shërbëtor i popullit”, “armik i lirive personale”, apo “kafsha me uniformë” që s’di çfarë bën?
Në fakt, as ne nuk jemi të qartë gjithmonë. Ka ditë kur ndihesh si super hero pa pagë. Ka ditë të tjera kur ndihesh si kamerier i një sistemi që nuk e di çfarë porosit. Dhe ka net kur pyet veten “Mos do të kishte qenë më mirë të shpërndaja lule?”
Sepse, të jesh polic në Shqipëri do të thotë:
Të punosh 12 orë, të paguhesh për 8, dhe të jesh fajtor për gjithçka që ndodh jashtë turnit. Të qetësosh një palë në konflikt, ndërkohë që e dyta të thotë “po ti me kë je?” Të përballesh me trafikantë, kriminelë dhe… më të rrezikshmit, komentuesit e rrjeteve sociale. Të jesh gjithmonë i vonuar, edhe kur je i vetmi që ke mbërritur në kohë. Të dëgjosh “ku është policia?” dhe “çfarë po bën policia?” nga i njëjti person që, një ditë më parë, të quajti “shërbëtor i sistemit të kalbur”.
Dhe e gjitha kjo nuk ndodh vetëm në rrugë. Ka hetues që kalojnë javë të tëra me telefon në vesh dhe sy në dosje, duke ndjekur pista që shuhen në mes, prova që zhduken, dhe viktima që nuk e thonë dot të vërtetën. Ka oficerë që përpiqen të zbusin një shoqëri të lodhur nga varfëria, dhuna në familje dhe rrjetet sociale që edukojnë më shumë se prindërit. Ka punonjës që operojnë në fshatra ku të gjithë dinë gjithçka, por askush nuk flet. Ka punonjës të rendit që dalin nga patrullimi dhe shkojnë në gjyq si të akuzuar sepse një video pa kontekst është më e fortë se një dëshmi me fakte.
Po, edhe brenda radhëve tona ka probleme. Do ishte shumë e bukur të thonim që jemi një trupë e bashkuar, por e vërteta është që ndonjëherë, loja në ekip ngatërrohet me pazaret mes shokësh. Ka nga ata që ende e shohin zyrën e policisë si zyrën e “Big Boss”-it, ku nuk shkon për të punuar, por për të ruajtur privilegjet dhe për të planifikuar ndonjë dasmë të radhës.
Por mos u shqetëso nuk jemi të gjithë njësoj. Ka ende prej nesh që nuk janë bërë policë për të marrë ndonjë letër falënderimi (që nuk vjen kurrë), por sepse besojnë se siguria është më shumë se uniforma. Është ndershmëri, është përkushtim dhe ndonjëherë, vetëm ndonjëherë edhe pak heroizëm.
Na falni nëse nuk jemi gjithmonë perfektë. Na falni nëse ndonjë koleg nuk e meriton uniformën. Por mos na shihni të gjithëve njësoj. Sepse brenda kësaj uniforme, ndonjëherë gjendet edhe një njeri që nuk ka fjetur natën, që është kthyer me stres në shtëpi, që ka qëndruar në shi për një aksident ku dikush thjesht donte të futej me forcë në korsi. Apo një kolege që u përball me viktimën e dhunës dhe pastaj u kthye në komisariat të shkruante procesverbalin, me sytë që i dridheshin nga ajo që kishte dëgjuar.
Në fund të ditës, as ne nuk jemi heronj. Por as nuk jemi armiq. Jemi thjesht njerëz që, me të mirat dhe të këqijat tona, po përpiqemi të bëjmë një punë që nuk ka fund.
Dhe në fund të fundit, nuk jemi këtu për të prishur punë ndonjëherë thjesht na del kështu, pa dashje. Po e themi me sinqeritet, as ne nuk i durojmë dot disa nga ne. Por ja që jetojmë në të njëjtën lagje, pijmë të njëjtën kafe (nëse na lë ora e punës), dhe ulim kokën njësoj kur çmimet rriten. Nuk ka nevojë të duhemi fort mjafton të mos ia fusim njëri-tjetrit me dëshirë. Dhe ndoshta, herë pas here, t’i themi vetes: "Ore, ndoshta ky polici nuk është edhe aq keq... ose është thjesht i lodhur si unë."/dritare.net