
Liderët evropianë reagojnë pas takimit Trump-Putin në Alaskë!
Dritare.net
Liderët evropianë të shtunën u angazhuan së bashku për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën dhe për të ruajtur presionin ndaj Rusisë deri në përfundimin e luftës në Ukrainë, pas një samiti në Alaska mes Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Deklarata e përbashkët nga liderë përfshirë Kancelarin gjerman Friedrich Merz, Presidentin francez Emmanuel Macron, Kryeministrin britanik Keir Starmer dhe Kryeministren italiane Giorgia Meloni u publikua pasi Trump i informoi ata mbi bisedimet e tij me Putin.
Në deklaratë thuhet se hapi i ardhshëm duhet të jenë bisedime me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, dhe se ata janë të gatshëm të punojnë me Trump dhe Zelenskiy drejt një samiti trepalësh me mbështetjen evropiane.
Trump tha pas bisedimeve me Putin se Ukraina duhet të pranojë një marrëveshje për të përfunduar luftën me Rusinë. Ai tha se kishte rënë dakord me liderin rus se mënyra më e mirë për këtë ishte të shkohej drejt një marrëveshjeje paqeje direkte, në vend të një armëpushimi, çka deri tani ishte kundërshtuar nga Kievi dhe aleatët e tij evropianë.
Deklarata evropiane, e nënshkruar gjithashtu nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Kryeministri polak Donald Tusk, Presidenti finlandez Alexander Stubb dhe Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa, tha se Ukraina duhet të ketë “garanci të hekurtë” për sigurinë e saj për të mbrojtur integritetin territorial.
“Do të jetë vendim i Ukrainës për vendimet mbi territorin e saj. Kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë. Mbështetja jonë për Ukrainën do të vazhdojë. Ne jemi të vendosur të bëjmë më shumë për ta mbajtur Ukrainën të fortë, në mënyrë që të arrihet një përfundim i luftës dhe një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme,” thuhet në deklaratë.
“Për sa kohë vrasjet në Ukrainë vazhdojnë, ne jemi të gatshëm të ruajmë presionin mbi Rusinë. Do të vazhdojmë të forcojmë sanksionet dhe masat më të gjera ekonomike për të vënë presion mbi ekonominë e luftës së Rusisë deri sa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme.”/K.C/dritare.net

















