Na ndiqni edhe në

Ora e Gallatës

Analizat pas takimit Trump–Putin në Alaskë: Pse asnjëri nuk foli për armëpushimin!

Analizat pas takimit Trump–Putin në Alaskë: Pse asnjëri nuk

Pas takimit pothuajse treorësh mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut rus Vladimir Putin në Alaskë, mediat ndërkombëtare si Sky News dhe BBC publikuan analizat e para mbi përfundimet e tij. Vëmendja kryesore bie mbi faktin se asnjëri prej dy liderëve nuk përdori fjalën “armëpushim” në deklaratat publike.

Sipas korrespondentit të Sky News në SHBA, “jemi ende shumë larg arritjes së një armëpushimi në Ukrainë, pasi asnjë prej presidentëve nuk e përmendi”. Ai shtoi se nëse do të kishte një referencë të tillë, “do të ndryshonte krejtësisht natyra e diskutimit”.

Putin theksoi se çdo marrëveshje duhet të trajtojë “shkaqet e thella” të luftës dhe shqetësimet e Rusisë, një pozicion që korrespondenti vlerësoi se duket se gjen jehonë tek Trump, por është i papranueshëm për Kievin.

Nga ana tjetër, për BBC-në, deklarata e Trump se “nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje” ishte një mënyrë e tërthortë për të pranuar se bisedimet nuk sollën rezultat konkret: “Nuk ka armëpushim. Nuk ka asgjë specifike për t’u raportuar.”

Trump foli me entuziazëm për “progres të madh”, por pa dhënë detaje, duke lënë hapësirë për spekulime. BBC thekson se presidenti amerikan bëri një udhëtim të gjatë vetëm për të dhënë deklarata të paqarta, edhe pse aleatët evropianë dhe zyrtarët ukrainas mund të jenë lehtësuar nga fakti që nuk pati koncesione të njëanshme.

Analiza shton se Trump doli nga samiti pa “stampën e paqebërësit apo negociatorit”, duke dëmtuar imazhin e tij si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, nuk ka sinjale për një samit të ardhshëm me pjesëmarrjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, pavarësisht sugjerimit të Putinit për një takim të ardhshëm “në Moskë”./K.C/dritar.net