
Presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri rus Vladimir Putin zhvilluan të premten (15 gusht) në Alaskë një sërë takimesh të rëndësishme për paqen në Ukrainë. Pas bisedimeve, të dy udhëheqësit dolën para mediave në një konferencë të shkurtër për shtyp.
Trump deklaroi se takimet kishin sjellë disa marrëveshje, por pa arritur ende një marrëveshje përfundimtare. “Kemi pasur disa takime të mira ndër vite dhe shpresojmë t’i kemi edhe në të ardhmen. Por le të përqendrohemi tek ai më produktivi tani,” tha presidenti amerikan.
Putin, nga ana e tij, ftoi presidentin Trump në Moskë: “Herën tjetër në Moskë.”
Trump u përgjigj me një buzëqeshje të ngrirë: “Oh, kjo është interesante. Për këtë do të marr pak kritika.”
Takimi i Alaskës shënon një hap të ri në përpjekjet diplomatike mes dy vendeve, megjithëse mbetet ende e paqartë se sa afër mund të jenë një marrëveshje konkrete mbi konfliktin në Ukrainë./K.C/dritare.net

















