Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Thethi që mahnit botën! Turistët e huaj flasin për përvojën magjike në Alpet Shqiptare

Thethi që mahnit botën! Turistët e huaj flasin për

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video nga Thethi, ku turistë nga vende të ndryshme të botës shprehin përshtypjet e tyre për këtë perlë të Alpeve Shqiptare. Në rrëfimet e tyre, vizitorët tregojnë se janë magjepsur nga bukuria e natyrës, mikpritja tradicionale, ushqimi vendas dhe eksperiencat unike që ofron zona, nga shëtitjet drejt Syrit të Kaltër deri tek adrenalina e Zip Line.

“Thethi, perla e Alpeve Shqiptare, po mirëpret vizitorë nga e gjithë bota me hapësirat e rikthyera publike në identitet e në harmoni me peizazhin, ku ata mahniten me pamjet përrallore, mikpritjen tradicionale, me ujin e kristaltë e me ajrin e pastër që të falin qetësi dhe energji pozitive,” – shkruan Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjete sociale.

Përvoja e turistëve që kanë zgjedhur Thethin konfirmon këtë realitet. Nga Australia, Austria, Franca, Gjermania, Zelanda e Re, Skocia e shumë vende të tjera, vizitorët e përshkruajnë Thethin si një vend “magjik, mistik, një përqafim i ngrohtë” ku gjithkush dëshiron të kthehet.

“Shiko ku jam, po zgjohem në një ditë me diell, qiell blu, i rrethuar nga male në fshatin e vogël të Thethit. Si mund të mos jetë një ditë e mirë? Kam ardhur nga Australia dhe në Shqipëri kam tetë javë. Vetëm në Theth kam kaluar gati një muaj, sepse e dua shumë,” – thotë një turist australian.

Vizitorë nga Austria tregojnë se mbetën të befasuar nga qetësia dhe relaksimi që gjetën mes maleve, ndërsa turistë të tjerë veçojnë mikpritjen e vendasve, ecjet drejt Syrit të Kaltër, ushqimin tradicional dhe natyrën e paprekur.

“Është si një magji që të tërheq dhe nuk të lëshon. Nuk njoh askënd që ka ardhur këtu e nuk ka dashur të kthehet përsëri,” – shprehet një tjetër vizitor.

Nga Zelanda e Re, turistët krahasojnë peizazhin e Thethit me Dolomitet, ndërsa francezët e gjermanët e përshkruajnë si një destinacion të përkryer për alpinizëm, natyrë të mrekullueshme dhe mikpritje shqiptare.

“E zgjodhëm Thethin për shkak të shtegut ‘Majat e Ballkanit’. Ushqim i mirë, bujtina të ngrohta, qentë dhe mikpritja, gjithçka është perfekte,” – shprehen turistë nga Skocia.

Një tjetër atraksion që po tërheq vëmendjen e vizitorëve është edhe Zip Line, një eksperiencë unike që ofron adrenalinë dhe panoramë mahnitëse mbi luginë.

Nga kudo që vijnë, Australia, Austria, Franca, Gjermania, Zelanda e Re, Skocia, Izraeli apo SHBA-ja, turistët bien dakord në një pikë: Thethi është një destinacion që duhet parë dhe përjetuar të paktën një herë në jetë./K.C/dritare.net