
Putin nuk tërhiqet: Kontaktet me Kievin vazhdojnë, prioritet trupat e ushtarëve të rënë
Dritare.net
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se kontakti mes Moskës dhe Kievit do të vazhdojë, pavarësisht diferencave të thella mes dy palëve. Në një prononcim të fundit, ai konfirmoi se Rusia është e angazhuar për të çuar përpara bisedimet, sidomos në kuadër të një veprimi humanitar të propozuar nga vetë pala ruse.
“Ne kishim rënë dakord që do të vazhdonim kontaktet pas shkëmbimeve dhe pas përfundimit të veprimit humanitar që propozuam. Po i referohem kthimit të trupave të ushtarëve të rënë,” tha Putin, duke e cilësuar këtë çështje si një përparësi për Rusinë.
I pyetur për kontradiktat që shfaqen në memorandumet e të dyja palëve, presidenti rus u shpreh se këto mospërputhje ishin të pritshme dhe nuk përbëjnë ndonjë surprizë. “Siç pritej, nuk kishte asgjë të papritur. Këto janë dy memorandume krejtësisht të kundërta. Nuk mund t’ju them asgjë të habitshme,” komentoi ai.
Megjithatë, Putin theksoi se procesi i negociatave mbetet i rëndësishëm dhe i nevojshëm, me qëllim që të gjenden pika të përbashkëta. “Negociatat organizohen dhe zhvillohen me qëllim kërkimin e mënyrave të afrimit. Fakti që tekstet janë diametralisht të kundërta nuk më duket aspak i çuditshëm,” u shpreh ai.
Deklarata e Putinit vjen në një kohë kur përpjekjet për dialog mes Rusisë dhe Ukrainës janë intensifikuar, por mbeten të mbushura me tension dhe mosmarrëveshje të thella në lidhje me konfliktin që vazhdon të rëndojë mbi të dyja vendet./K.C/dritare.net

















