
Shpresa dhe fuqizimi i brezit të ri janë trashëgimia që dua të lë pas. Ndahet nga jeta Jane Goodall!
Dritare.net
Primatologia e njohur botërisht Jane Goodall ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare, njoftoi të mërkurën Instituti që mban emrin e saj. Ajo ndërroi jetë nga shkaqe natyrore në Kaliforni, gjatë një turi ligjëratash në SHBA.
Goodall u bë e famshme në vitet ’60 për kërkimet e saj në Rezervatin e Shimpanzesë në Gombe, Tanzani, ku vëzhgoi për herë të parë se shimpanzetë jo vetëm përdornin mjete, por i krijonin ato vetë – një zbulim që sfidoi idenë e “unikalitetit njerëzor”. Duke i dhënë emra dhe duke dokumentuar emocionet e tyre, ajo tregoi se këta primatë kishin personalitete dhe lidhje shoqërore komplekse.
Instituti i saj e përshkroi Goodall si “një avokate të palodhur për mbrojtjen dhe restaurimin e botës sonë natyrore”. Edhe Kombet e Bashkuara shprehën ngushëllime, duke e cilësuar atë një figurë që “la një trashëgimi të jashtëzakonshme për njerëzimin dhe natyrën”.
Gjatë karrierës së saj, Goodall u nderua me titullin Dame e Perandorisë Britanike (2004), me Medaljen Presidenciale të Lirisë në SHBA (2025) dhe u shpall Mesazhere e Paqes nga OKB (2002).
Në vitin 1977 ajo themeloi Institutin Jane Goodall, i cili sot mbështet ruajtjen e shimpanzeve dhe punon me komunitetet lokale në Afrikë. Përmes programit të saj Roots & Shoots, ajo frymëzoi mijëra të rinj në mbarë botën të angazhohen për mjedisin.
Edhe pse vitet e fundit udhëtonte më pak për shkak të pandemisë, Goodall vazhdoi të fliste me forcë për krizën klimatike, ruajtjen e pyjeve dhe marrëdhënien e njeriut me botën e kafshëve.
“Shpresa dhe fuqizimi i brezit të ri,” kishte thënë ajo, “janë trashëgimia që dua të lë pas.”/L.F-dritare.net

















