
U maskova si pastruese dhe punova në një azil disa javë. Ja çfarë zbulova!
Dritare.net
Nga BBC
Gazetarja skoceze Catriona MacPhee punoi për shtatë javë si pastruese në Castlehill Care Home, shtëpia më e madhe e kujdesit në Inverness, për të zbuluar nga afër gjendjen e të moshuarve. Ajo pa shumë raste të kujdesit të dobët, mungesës së dinjitetit dhe dhimbjes së panevojshme.
Në ditët më të vështira, banorët thërrisnin për ndihmë sapo dëgjonin karrocën e pastrimit. Disa kërkonin të shkonin në tualet, të tjerë donin thjesht të laheshin ose të visheshin. Catriona nuk mund t’i ndihmonte, përveçse t’i ngushëllonte, ndërsa ata prisnin me orë të tëra. Një grua, me një dhomë plot kujtime nga jeta e saj e kaluar, u detyrua të qante nga turpi dhe dhimbja, pasi askush nuk erdhi ta ndihmonte në kohë.
Hetimi nisi pas ankesave të Susan Christie, vajza e një banori, e cila kishte vendosur një kamerë të fshehtë në dhomën e të atit. Pamjet treguan neglizhencë të rëndë: ai lihej me orë i papastruar, me ushqim që i linin larg dhe madje u keqtrajtua nga një punonjës, që më pas u shkarkua. Castlehill rezultoi të ishte shtëpia me më shumë ankesa të pranuara në gjithë Skocinë në vitin 2024.
Gjatë punës së saj, Catriona gjeti dhoma me erë të rëndë, të moshuar të shtrirë me rroba të lagura ose mbi çarçafë të ndotur, gra që bërtisnin sepse kujdesi intim po u bëhej nga burra, dhe një staf të mbingarkuar që ndiqte vetëm listën e detyrave, pa kohë për kujdes njerëzor. Megjithatë, ajo pa edhe disa punonjës që përpiqeshin me zemër të sillnin pak gëzim dhe dinjitet te banorët, edhe pse këto ishin momente të rralla.
Sipas ekspertëve, sektori i kujdesit në Skoci po përballet me krizë: mungesë financimi, mungesë personeli dhe rritje të madhe të kërkesës, veçanërisht për kujdesin e demencës. Ndërkohë, familjet shpesh nuk kanë zgjedhje tjetër veçse të dërgojnë të afërmit në shtëpi kujdesi, mes fajit dhe kostove të larta financiare.
Megjithatë, gjatë hetimit pati edhe çaste të mira: një menaxhere e re që përpiqej të përmirësonte gjendjen dhe një organizatore aktivitetesh që sillte muzikë e buzëqeshje. Banorët shpesh kërkonin vetëm pak kohë, një bisedë të shkurtër apo një buzëqeshje për të ndier sërish një lidhje njerëzore.
Në fund, teksa largohej nga Castlehill, Catriona e mbyll rrëfimin me një pyetje që mbetet thelbësore:
“A nuk meritojnë këta njerëz diçka më të mirë?”/K.C/dritare.net

















