Sot Dita e Verës! Ballokume, verore dhe festime në çdo qytet!
Dritare.net

Dita e Verës simbolizon fillimin e një stine plot ngjyra, lule dhe gëzim. Festa ka nisur që në mbrëmjen e 13 marsit kur përgatiten ëmbëlsirat siç është ballokumja që s’mund të mungojë dhe ushqimet tradicionale.
Një nga simbolikat e kësaj feste është verorja me pe të bardhë e të kuq.
Çdo qytet ka planifikuar një sërë aktivitetesh e festimesh për të kremtuar këtë ditë, si dhe janë marrë masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve.
Në Tiranë, devijimi i trafikut ka nisur prej orës 12:00 të datës 13 mars dhe do të vijojë deri në orët e para të datës 15 mars. Aktivitetet festive do të nisin që në orët e para të ditës së sotme dhe do të përfundojnë vonë pas mesnate. Rreth 50 veprimtari të ndryshme janë programuar në kryeqytet, nga ora 09:00 e mëngjesit e deri në mesnatë.
Për të gjitha grupmoshat janë dedikuar hapësira të veçanta, sidomos për fëmijët që janë parashikuar aktivitete te Liqeni Artificial dhe Parku Rinia.
Plani i kufizimit të lëvizjes do të ndiqet edhe në Elbasan, kryeqendrën e festimeve të Ditës së Verës.