Na ndiqni edhe në

Bota

Hegseth: SHBA po e shkatërron ushtrinë iraniane, sot vala më e madhe e sulmeve ajrore

Hegseth: SHBA po e shkatërron ushtrinë iraniane, sot vala më e

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi të premten në një konferencë për shtyp në Pentagon se Shtetet e Bashkuara po i shkaktojnë goditje të rënda ushtrisë së Iran, duke e bërë atë “praktikisht të paaftë për luftë”.

Në fillim të deklaratës së tij, Hegseth tha se SHBA po “shkatërron regjimin radikal iranian dhe kapacitetin e tij ushtarak në një mënyrë që bota nuk e ka parë më parë”. Ai theksoi se bashkëpunimi mes forcave ajrore amerikane dhe atyre të Israel është “i pathyeshëm”, ndërsa inteligjenca ushtarake, sipas tij, po bëhet gjithnjë e më e saktë.

Sipas Hegseth, Irani tashmë ka humbur pjesën më të madhe të kapaciteteve të tij ushtarake. Ai pretendoi se vendi nuk ka më forcë ajrore funksionale, sistemi i mbrojtjes ajrore është neutralizuar dhe marina iraniane është shkatërruar. Gjithashtu, shumë nga lëshuesit e raketave po goditen vazhdimisht.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se volumi i raketave iraniane është ulur me rreth 90%, ndërsa përdorimi i dronëve sulmues njëdrejtimësh është reduktuar me 95%. Ai shtoi se jo vetëm që Irani po humb armët që ka në dispozicion, por po i humb edhe aftësitë për të prodhuar të tjera.

“Po shkatërrojmë raketat që kanë dhe, më e rëndësishmja, po sigurohemi që të mos kenë mundësi të ndërtojnë më”, tha Hegseth, duke shtuar se shumë shpejt edhe kompanitë iraniane të mbrojtjes mund të jenë objektiv i operacioneve ushtarake.

Më pas ai foli për situatën në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Sipas tij, çdo ndërprerje e trafikut detar në këtë zonë është rezultat i veprimeve të Iranit, ndërsa SHBA po punon për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit global me energji.

Hegsethfoli edhe për liderin suprem të ri të Iranit, Mojtaba Khamenei. Ai tha se Khamenei është i plagosur dhe ndoshta i shpërfytyruar, duke sugjeruar se mungesa e paraqitjeve publike mund të lidhet me gjendjen e tij shëndetësore, megjithëse nuk ka konfirmim të pavarur për këtë.

Duke folur për zhvillimet ushtarake, Hegseth paralajmëroi se gjatë ditës së sotme SHBA pritet të kryejë valën më të madhe të sulmeve ajrore mbi Iranin deri tani. Sipas tij, vendosmëria amerikane mbetet e fortë, ndërsa ritmi dhe intensiteti i operacioneve do të përcaktohen nga presidenti Donald Trump.

Gjatë konferencës, Hegseth u pyet edhe për një sulm që sipas autoriteteve iraniane goditi një shkollë fillore për vajza në qytetin Minab. Ai tha se një hetim është duke u zhvilluar nga komanda qendrore amerikane, duke theksuar se operacionet e SHBA-së dhe Izraelit nuk synojnë civilët.

Në fund të deklaratës së tij, sekretari amerikan i Mbrojtjes bëri homazh për ekuipazhin e një avioni furnizues Boeing KC-135 Stratotanker që u rrëzua në Irakun perëndimor. Sipas komandës amerikane, katër nga gjashtë anëtarët e ekuipazhit kanë humbur jetën.

“Janë heronj amerikanë, të gjithë”, tha Hegseth, duke shtuar se sakrifica e tyre vetëm sa e forcon vendosmërinë për vazhdimin e misionit./K.C/dritare.net