
Nazarko: Pse denoncova në Bruksel shpërdorimin e fondeve bujqësore!
Dritare.net
Romeo Nazarko, i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV, tregoi se përse e denoncoi në Bruksel shpërdorimin e fondeve bujqësore pasi u përball me refuzime të përsëritura për një projekt që kishte për qëllim të ndihmonte fermerët dhe të krijonte një sistem të qëndrueshëm bujqësor. Ai tregoi se vendimi për të vepruar erdhi pasi kuptoi se problemet nuk lidhen me dokumentacionin, por me korrupsionin në institucione.
“Kam pasion pemëtarinë dhe gjatë pandemisë mora 23 hektarë tokë me qira për 99 vjet nga Bashkia Kolonjë. Bëra një projekt për një sistem zinxhir: pemëtore, blegtori, bletari. Njëri mbante bagëtitë dhe barin e sillte te pemëtoret, më linte plehun organik, merrte të ardhura. Kush mbante bletë, bënte pjalmimin, merrte mjaltin. Pra, një sistem që funksiononte për të gjithë.
Për këtë projekt kërkova fonde prej 220 mijë eurosh nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural. Por AZHBR më ktheu një refuzim me 15 pika. I plotësova të gjitha, por më vunë kushte absurde. Një nga pikat ishte: të marrësh vërtetim nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit se pemëtoret nuk dëmtojnë mjedisin. Pse duhet leje mjedisi për pemë? Shkova deri në Berat për ta marrë, sepse ky rajon mbulohej nga Berati. Brenda afatit e dorëzova, por prapë mora përgjigje refuzuese.”, tregon inxhinieri Romeo Nazarko në DritareTV.
Nazarko tregon sfidat burokratike dhe kushtet jologjike që penguan realizimin e projektit.
“Arsyeja e re ishte se nuk kisha kontratë nënqiraje nga bashkia Kolonjë. Por bashkia nuk lejonte nënqiraje! Pra, më kërkonin diçka të pamundur. Atëherë kuptova se nuk ishte problemi tek dokumentet, por tek korrupsioni. Më thanë troç se fondet e vogla si 220 mijë euro nuk jepeshin, duhej të ishin mbi 1 milion euro që të justifikonin ‘bakshishet’. Këto fonde nuk ishin për fermerët, por për të tjerët.”
Nazarko pohon se refuzimi lidhej me korrupsionin dhe jo me ligjin, duke treguar se fondet nuk jepen për fermerët e vegjël.”, tregon Romeo Nazarko në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV./dritare.net

















