
Romeo Nazarko: Në SPAK denoncova Ballukun, jo Isain për projektin e rrugës Korçë–Ersekë
Dritare.net
“Unë kam bërë kallëzimin në SPAK për projektin e rrugës Korçë–Ersekë.” - thotë në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV, Romeo Nazarko.
“Jam nga fshati ku duhej të mbaronte vepra dhe si inxhinier e kuptova menjëherë se projekti nuk përputhej me terrenin. Rruga ishte miratuar që në vitin 2010, me gjurmë të qartë në aksin perëndimor. Më pas u ndryshua dhe u vendos në aksin verior, pa lidhje me terrenin. Ishte projekt fiktiv, i bërë në zyrë, jo në terren. Për pasojë, rruga dhe ura ranë, sepse zona kishte ujëra nëntokësorë dhe ishte e paqëndrueshme.
Një rrugë si ajo, duhet të kalonte pranë qendrave të banuara, që njerëzit të mos largohen siç po largohen. Ketë parashikonte projekti fillestar. Ndërtimi i gjurmës së re shkatërroi tokat e ndara me ligjin 7501, i copëtoi pronat dhe pengoi bujqësinë. Fermerët nuk mund të përdorin më tokat me traktorë që të shkojnë në dy krahët e rrugës. Në vend që të kishte zhvillim, u krijuan probleme të reja.
Arsyeja pse u ndryshua gjurma lidhet vetëm me rritjen e kostos. Projekti fillestar kishte kosto 1 milion euro për kilometër. Me ndryshimin shkoi në 5 milionë euro. Në vend që të ulej kostoja, u pesëfishua. Ky ishte qëllimi i vetëm. Unë ia thashë edhe drejtorit të ARRSH-së: mos e turpëro veten, sepse kjo do mbetet turp publik. I thashë se e dija edhe emrin e kompanisë që do fitonte tenderin, dhe pas një jave ndodhi ashtu.”- tha Nazarko në Shqip, ndërsa tregoi se për këtë rrugë kishte çuar në SPAK edhe drejtorin e atëhershëm të ARRSH-së, Ergys Verdho.
“Kam marrë kërcënime, më kanë thënë se do më akuzonin për kallëzim të rremë. Por nuk pata asnjë problem. Nuk po bëja kallëzim të rremë dhe as për arsye personale. Unë kallëzova fenomenin, dhe më pas SPAK i thirri të gjithë. Sa për kryetarin e Bashkisë Erion Isai, atë nuk e kallëzova unë. I kisha shkuar ta lajmëroja që po veprohej gabim, po nuk më dëgjoi. Ai ka dalë në përgjime, dhe shtatë punonjës të tjerë të bashkisë, për shkak se u bashkuan dy dosje, ajo e vitit 2020 dhe një tjetër e vitit 2004 lidhur me tenderë të ndryshëm në Bashkinë e Kolonjës.- tha Nazarko.
“Në vitin 2021, gjashtë punonjës të ARRSH-së u dënuan për shkelje të lidhura me këtë projekt. Pra, doli që kisha pasur të drejtë. Por unë sërish mbaj përgjegjësi morale. Sikur të dëgjoheshin kritikat në kohë, do të shmangej një gabim i madh. Kjo çështje do vazhdojë dhe do ketë fajtorë, po puna është që dosja u vonua 5 vite dhe rruga është bërë. Do e shikoni ne dimër sa probleme do ketë kur të nisin ngricat. Gjithsesi njerëzit do vijojnë të bëjnë rrugën e vjetër, ndaj ka ende mënyra për t’u korrigjuar sadopak. Minimumi, ARRSH-ja duhet të asfaltojë gjurmën e vjetër, që njerëzit të kenë një alternativë të përdorshme, sidomos në dimër, kur rruga e re te mbyllet nga bora, sepse nuk e kap dielli. Një projektues serioz e di që asnjë metër katror rruge nuk duhet të mbetet pa rreze dielli, përndryshe bëhet burim aksidentesh.”- përfundoi inxhinieri projektues bisedën me gazetaren Rudina Xhunga në Dritare Tv./dritare.net

















