Braçe: Lobimi i kompanive të duhanit në zyrat e shtetit, vrasëse për fëmijët
Dritare.net

Deputeti socialist Erion Braçe ka lëshuar akuza të forta ndaj kompanive të duhanit, duke denoncuar atë që e cilëson si lobim në zyrat e shtetit për të shmangur ndalimet dhe për të ruajtur interesat e tyre tregtare. Braçe ngre dyshime për ndikimin e personave që kanë punuar në Dogana, Tatime dhe ministritë e Ekonomisë e Financave, të cilët sipas tij po mbrojnë interesat e industrisë së duhanit.
Reagimi i plotë i Erion Braçes:
“Duhani tradicional, elektronik, oral, është vrasës!
Duhani tradicional, elektronik, oral, për fëmijët është edhe më shumë se vrasës, ju merr shpirtin!
Duhani oral, në qese si i grirë apo çdo formë tjetër që nuk përdoret me thithje, përfshirë qeset me nikotinë, është i ndaluar të tregtohet në këtë vend!
Lobimi në çdo zyrë shteti për të nga kompanitë e duhanit, mbrojtësit e interesave të tyre që janë tërësisht në shkelje të etikës – kanë punuar në Dogana e Tatime, Ministri Ekonomie e Financash e tani mbrojnë favoret e kapërcejnë ndalimet për ta, është i padrejtë dhe i dëmshëm;
Po aq sa duhani oral me nikotinë e qeset me nikotinë që ua shesin pa mëshirë fëmijëve!
Kjo betejë kundër këtyre bëhet pa mëshirë, ndryshe gjithnjë e më shumë fëmijëve do t'u merret shpirti me nikotinë e katran!”./L.F-dritare.net