Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ministria e Jashtme: Shqipëria nuk është përfshirë në sulmin me dronë ndaj anijes ruse në Libi

Ministria e Jashtme: Shqipëria nuk është përfshirë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka hedhur poshtë kategorikisht raportimet se një sulm me dronë detarë ndaj një anijeje luftarake ruse në Libi është nisur nga territori shqiptar, duke i cilësuar pretendimet të pavërteta dhe të pambështetura në prova.

Në reagimin zyrtar, ministria thekson se Shqipëria nuk ka pasur asnjë përfshirje në incident dhe se territori shqiptar nuk është përdorur, as vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e sulmit.

Pretendimet u përhapën nga platforma Clash Report dhe llogaria Visioner në rrjetin social X, të cilat raportuan se dronët detarë që goditën anijen ruse kishin origjinën nga Shqipëria.

Ministria u bëri thirrje publikuesve të këtyre raportimeve që të korrigjojnë informacionin dhe të tregojnë kujdes e përgjegjshmëri në trajtimin e çështjeve me ndjeshmëri të lartë, veçanërisht kur ato lidhen me sigurinë dhe zhvillimet ushtarake.

Ndërkohë, korveta ruse me raketa “Mercury” pësoi dëme të rënda pas një shpërthimi në portin e Bengazit, në Libinë lindore. Associated Press, duke iu referuar dy zyrtarëve ushtarakë libianë, raportoi se hetimet paraprake sugjeronin që dronët ishin nisur nga një bazë në perëndim të Libisë, e përdorur nga forcat ukrainase.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka marrë përsipër sulmin, duke deklaruar se forcat ukrainase përdorën shtatë dronë detarë të prodhuar në vend dhe fundosën korvetën ruse. Sipas tij, gjatë operacionit u shkatërrua gjithashtu një helikopter ushtarak Ka-27 dhe u godit anija e mallrave “MV Angara”, të cilën Moska, sipas pretendimeve ukrainase, e përdorte për transport armësh.

Tirana zyrtare mohon çdo lidhje me operacionin, ndërsa raportimet për origjinën e sulmit mbeten në qendër të vëmendjes për shkak të ndjeshmërisë së zhvillimeve ushtarake në rajon.