
Lotët e klasës së parë. Si ta kapërcejmë këtë fazë!
Dritare.net
Nga Albert Doda- MSc ne arsimin fillor
Fillimi i klasës së parë është një ndryshim i madh për çdo fëmijë. Nga një ambient i njohur në shtëpi apo kopsht, ata kalojnë në një hapësirë të re, me rregulla, detyra dhe shokë të rinj. Lotët e ditëve të para janë normale, por disa fëmijë vazhdojnë të qajnë për ditë ose javë. Kjo kërkon durim, strategji konkrete dhe bashkëpunim mes prindërve dhe mësuesve.
Këshilla konkrete për prindin
1. Përgatitja para nisjes
Vizitoni shkollën dhe klasën para fillimit.
Flisni çdo ditë disa ditë para fillimit për shkollën si aventurë dhe jo si detyrim.
Lexoni libra ose tregime për shkollën për të ulur pasigurinë.
2. Rutina e mëngjesit
Zgjohuni 30–40 minuta më herët se zakonisht.
Jepni mëngjes të shëndetshëm dhe të preferuar nga fëmija.
Mos e nxitoni, fëmijët reagojnë keq ndaj ngutjes.
3. Ndarja në mëngjes
Përqafim i shkurtër dhe një fjali e qartë: “Do të shihemi pas pak”.
Mos diskutoni gjatë për lotët ose ankthin.
Mos i bëni premtime të mëdha për t’u larguar nga shkolla.
4. Pas shkollës
Pyeteni për gjërat pozitive që i ndodhën, jo vetëm për lotët.
Lavdërojeni edhe për përpjekjen më të vogël: “Sot qëndrove gjithë ditën, jam krenar për ty”.
Jepini kohë të luajë dhe të qetësohet emocionalisht.
5. Qëndrueshmëri
Mbani të njëjtin qëndrim çdo ditë; mos ndryshoni nga loti i fëmijës.
Mos e shpërbleni sjelljen me shpërqendrime si telefon ose lojëra.
6. Përforcim i motivimit
Përdorni një tabelë me yje ose stickera për ditët që e kalon pa qarë.
Shpjegoni se shkolla është një vend ku mëson dhe takon shokë të rinj.
7. Bashkëpunim me mësuesin
Merrni informacione për sjelljen reale në klasë.
Diskutoni strategji për t’ia bërë më të qeta ditët e para.
Këshilla konkrete për mësuesin
1. Mikpritja
Përshëndetje personale dhe buzëqeshje.
Uluni në nivelin e fëmijës për të krijuar ndjesi sigurie.
2. Hapja e ditës
Filloni me lojëra njohjeje dhe aktivitete të lehta.
Shpjegoni rregullat në mënyrë të qetë, jo rreptësisht.
3. Shpërqendrimi i lotëve
Jepini një rol të vogël që ta bëjë fëmijën të ndiejë se është i dobishëm.
Vendosni pranë një shok të qetë që të ndihmoni integrimin gradual.
4. Jo qortim për lotin
Lotët nuk janë sjellje negative; trajtojani me durim dhe empati.
5. Rutina e përditshme
Përdorni të njëjtin plan ditë pas dite për të ulur ankthin.
Filloni me detyra të vogla, të thjeshta dhe lojëra që i angazhojnë.
6. Raportim i përditshëm
Informoni prindin me shembuj konkretë.
7. Durim dhe empati
Disa fëmijë kanë nevojë për javë ose muaj për t’u përshtatur.
Sigurohuni që fëmija të ndihet i mbrojtur dhe i pranuar.
Kur duhet të kërkohet ndihmë shtesë ?
Nëse lotët zgjasin më shumë se 2–3 javë.
Nëse fëmija refuzon të futet në klasë ose nuk ha.
Nëse nuk bashkohet me shokët ose tregon ankth ekstrem.
Në këto raste, rekomandohet psikolog shkolle ose specialist i zhvillimit të fëmijëve.
Lotët e klasës së parë janë pjesë e natyrshme e rritjes dhe tregojnë ndjeshmëri dhe lidhje të fortë me prindin. Me durim, rutinë të qartë, strategji konkrete dhe bashkëpunim mes prindërve dhe mësuesve, fëmija shumë shpejt do të kapërcejë këtë fazë dhe do ta shohë shkollën si një vend të sigurt dhe të këndshëm./dritare.net

















