
Premtimi i Donald Trump për të mbyllur luftën në Ukrainë brenda 24 orësh ishte thjesht për konsum elektoral, argumenton eksperti i sigurisë Xhavit Shala.
Shala parashikon se lufta në Ukrainë mund të zgjasë, pasi Putini e ka kthyer të gjithë industrinë ruse në një makineri lufte dhe tani i duhet një konflikt i vazhdueshëm për të justifikuar ekzistencën e saj dhe për të mbajtur pushtetin. "Atij i duhet një luftë tjetër," thotë ai.
Pra, si mund të përfundojë konflikti? Sipas Shalës, zgjidhja nuk qëndron vetëm te sanksionet ndaj Rusisë, e cila është bërë imune. Çelësi është një politikë e përbashkët SHBA-Evropë për të vendosur sanksione ndaj vendeve të treta që financojnë luftën duke blerë karburant dhe produkte ruse. "Vini sanksione Kinës, vini sanksione Indisë... këta janë indirekt financuesit e luftës," thekson ai. Ndërkohë, incidentet e fundit me dronë rusë që kaluan mbi hapësirën ajrore të NATO-s, shërbyen si një zile alarmi që e "zgjoi" Evropën, duke e detyruar të marrë masa urgjente për mbrojtjen e saj, siç është plani për krijimin e një "muri dronësh" nga Deti i Veriut deri në kufijtë lindorë.

















