Na ndiqni edhe në

Bota

Më lër të vdes! Nënë shpëton vajzën që tentoi të hidhet nga ballkoni!

Më lër të vdes! Nënë shpëton vajzën që

Një nënë shpëtoi vajzën e saj 21-vjeçare, e cila po përpiqej të hidhej nga dritarja, duke e kapur fort nga këmbët dhe duke qëndruar ashtu për disa minuta. Gruaja 60-vjeçare ndoqi vajzën, e cila ishte futur në dhomë me qëllimin për t’i dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt. Por nëna e kuptoi menjëherë se çfarë po ndodhte: në një çast ajo e kapi vajzën për këmbë e për kërcinj, duke shmangur tragjedinë.

Ngjarja ndodhi të enjten e kaluar, rreth orës 18:00, në një segment të rrugës “Machiavelli”, një degëzim i sheshit “Vittorio Emanuele”. Vajza sapo kishte marrë një telefonatë nga i dashuri, i cili i kishte thënë se do ta ndërpriste lidhjen. Në shtëpi ishin vetëm nëna dhe vajza. Duke e parë të qante gjatë bisedës telefonike dhe duke njohur brishtësinë e saj, nëna vendosi ta ndiqte kur vajza u drejtua për në dhomë.

Kur pa se ajo po hapte dritaren me qëllim të hidhej, nëna reagoi me shpejtësi duke ia bllokuar këmbët. “Më lër, më lër të vdes. Më lër të hidhem poshtë,” bërtiste vajza. Por nëna, e dëshpëruar, nisi të thërriste për ndihmë: “Ju lutem, më ndihmoni, nuk po arrij ta mbaj vajzën që do t’i japë fund jetës.”

Për disa minuta ato qëndruan në atë pozicion dramatik. Një kalimtar, i tërhequr nga britmat, ngriti kokën dhe pa skenën e tmerrshme. Me celularin e tij telefonoi menjëherë në numrin 112 duke njoftuar policinë.

Në pak çaste në rrugën “Machiavelli” mbërritën dy patrulla policie. Një banor i pallatit u shpjegoi oficerëve se në banesë ishin vetëm nëna dhe vajza. Policia, duke mos pasur mënyrë tjetër, hapi derën me shkelma. Më pas vrapuan drejt dhomës, ku nëna ishte gati të humbiste forcën e kapjes. Agjentët zunë vendin e saj, arritën të tërhiqnin vajzën, e futën në dhomë, duke shmangur një tragjedi të sigurt./K.C/dritare.net