
Vrasja e italianit në Tepelenë/ Lirohen nga policia ortaku e djemtë e tij
Dritare.net
24 orët e fundit kanë qenë sfiduese për Policinë dhe Prokurorinë e Gjirokastrës për të gjetur një përgjigje se kush fshihet pas vrasjes së biznesmenit italian Edorado Sarchi, pak pas mesnatës së të premtes në zonën e Salarisë në Tepelenë.
Për të rindërtuar skenën e krimit dhe për të sqaruar pikëpyetjet e shumta, në pyetje u morën 4 dëshmitarët okularë në vendngjarje: ortaku në biznes i 44-vjeçarit, Eqrem Braçi, dhe dy djemtë e tij, si dhe Armir Hitoveizi, i gjendur rastësisht pranë zonës së krimit.
Dëshmitë e tyre kishin përputhshmëri me njëra-tjetrën, ku sipas të katër personave, mjetet me të cilat po lëviznin drejt Nivicës u ndaluan nga një breshëri të shtënash, dhe pak më vonë të shtënat rinisën sërish drejt 44-vjeçarit Edorado Sarchi, i cili ishte në drejtim të njërës prej makinave dhe u la i vdekur. Të shtënat vinin nga një person i panjohur që qëndronte para makinave në këmbë.
Për vrasjen e biznesmenit italian, e vetmja e dhënë në dorë të hetuesve janë dëshmitë e dëshmitarëve okularë, të cilët pretendojnë se vrasja u krye nga një person i cili lëvizte në këmbë. Por, këto dëshmi nuk kryqëzohen me të dhëna të tjera, pasi në zonë mungojnë kamerat e sigurisë, si edhe në vendngjarje nuk është gjetur asnjë gëzhojë.
Pavarësisht provave të pakta materiale, grupi hetimor po e zgjeron hetimin në lidhje me konfliktet e mundshme të biznesmenit. Po ashtu, po ndiqet itinerari i tij 24-orësh mbi lëvizjet dhe kontaktet që ai ka pasur, për të zbuluar se kush kishte dijeni në lidhje me vendndodhjen e tij. Dyshimet janë se vrasësit ose bashkëpunëtorët në krim janë pjesë e rrethit të biznesmenit./TCH

















