Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Biznesmeni italian dyshohet se u vra nga një plumb rikoshet. Çfarë dyshon policia!

Biznesmeni italian dyshohet se u vra nga një plumb rikoshet.

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen e rëndë të së shtunës (27 shtator) në Tepelenë, ku u va biznesmeni italian Edoardo Sarchi 44 vjeç.


Nga hetimet e deritashme për rastin e vrasjes së Edoardo Sarchi, biznesmenit italian mëngjesin e ditës së djeshme, konfirmohet se nuk bëhet fjalë për vrasje nga pakujdesia, por për një atentat të kryer nga një person i panjohur ende nga Policia e Gjirokastrës.

Ekspertiza e bërë në vendin e ngjarjes, konfirmon se italiani nën shoqërinë e Eqrem Braçit dhe dy djemve të tij, ishin duke qarkulluar nga drejtimi Nivicë në atë të Salarisë, në Tepelenë.

Nga dëshmitë e bëra përgjatë ditës së djeshme në Drejtorinë Vendore të Policisë së Gjirokastrës, është ndërtuar pak a shumë dhe skena e krimit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Dilan mes Nivicës dhe Salarisë.

Sipas dëshmive të katër personave që u morën në cilësinë e dëshmitarit, mësohet se ata kanë qenë duke udhëtuar së bashku me dy automjetet fuoristradë në aksin e sipërpërmendur.

Fillimisht kanë dëgjuar tre të shtëna të cilat kanë qenë shumë afër çka bëri që të ndalej automjeti i parë tip Land Rover në bordin e të cilit ishte biznesmeni italian dhe njëri prej personave të shoqëruar.

Pasi kanë qëndruar për 2 minuta, është dëgjuar një breshëri tjetër, ndoshta në ajër.

Përpara rrugës në një distancë prej 10-15 metrash shfaqet një person me armë në dorë automatik i cili shkreh armën në drejtim të gomave të Land Roverit duke mos thënë asnjë fjalë.

Në këtë moment, biznesmeni italian dhe personat e tjerë në bord fshihen pas mjetit shoqëruar me britmat e frikës.

Fillimisht u ça goma e përparme e mjetit, ndërsa shkrehja e dytë e armës automatike nga personi misterioz, shkaktoi plagosjen e biznesmenit italian.

Mendohet se ky i fundit është lënduar nga një plumb rikoshet të cilën e kapi në pjesën e femurit të këmbës së djathtë.

Pas shkrehjes së armës nga agresori misterioz, biznesmeni italian është ankuar për plagën që mori.

Hemoragjia ka qenë e madhe që në momentin e parë, ndërkohë që djemtë e Eqrem Braçit lajmërojnë policinë për atë çfarë kishte ndodhur që një person misterioz i pati qëlluar me breshëri arme në vendin e quajtur Dilan.

Policia dhe autoambulanca kanë ardhur në vendngjarje duke transportuar trupin e pajetë të italianit dhe shoqëruar në Polici Eqrem, Gazmend dhe Daniel Braçin, si dhe Armir Hitoveizin bari nga fshati Nivicë në cilësinë e dëshmitarit.

Mësohet se katër personat që kanë dhënë dëshmi dje, mund të thirren përsëri në ditët pasuese në varësi të dinamikës së ngjarjes.

Policia e Gjirokastrës ndërkohë ka ngritur katër postblloqe në zonën e Kurveleshit për të bërë të mundur gjetjen e autorit.

Deri më tani, janë angazhuar dy grupe specialistësh që po krehin zonën që nga vendi i ngjarjes e deri në periferi të fshatit Gusmar në veri e në jug deri në fshatin Dukaj.

Dyshimet më të mëdha janë që autori i vrasjes të jetë larguar në drejtimin perëndimor drejt Vlorës./shqiptara.com