
Nga Bjorn Runa
Romani debutues i autores shqiptaro-amerikane Ledia Xhoga, “Keqinterpretimi, i nominuar në listën e gjatë të çmimeve “Booker,” nis me një përkthyese shqiptare, e cila jeton në Nju Jork dhe që, për shkak të profesionit, i duhet të përkthejë traumën e të tjerëve, por që siç zbulojmë përgjatë romanit, e gjen veten të ngërthyer nga deformime dhe keqinterpretime që ajo vetë mbart brenda vetes. Personazhi kryesor, pa emër dhe shpesh e paqartë për t’u kuptuar në synimet e saj, e gjen veten tejet të përfshirë në historitë e një emigranti kosovar në SHBA, i mbijetuar i torturave gjatë luftës së Kosovës, dhe një poeteje kurde (gjithashtu emigrante në SHBA), derisa dallimi mes dhimbsurisë për tjetrin dhe ruajtjes së vetes, thellohet gjithnjë e më shumë duke çuar në pasoja që përkthyesja e ka të pamundur t’i parashikojë. Por, nën rrjetën komplekse të disa fabulave që ndërthuren me njëra tjetrën – gjysmë rrëfime dhe gjysmë dëshmi – romanin e përshkon një pyetje më e thellë: çfarë roli luajnë në jetët tona, jo qartësia dhe kuptimi i tjetrit, por pikërisht keqinterpretimet dhe keqkuptimet?
Jetojmë me iluzionin se komunikimi është themeli që na bashkon të gjithëve me njëri-tjetrin dhe se kuptimi është diçka që mund të përçohet e plotë dhe e paprekur nga një dorë tek tjetra, si një zarf i vulosur. Por, “Keqinterpretimi” na sugjeron në fakt se kuptimi nuk është diçka e kapshme. Shpesh ajo që na bën bashkë janë sinjalet e keqinterpretuara dhe teprica e emocioneve që gjuha e ka të pamundur t’i zbutë e t’i bëjë të përcjellshme. Tek e fundit, dashuria mes dy njerëzve në të shumtën e rasteve nis nga keqinterpretime dhe gjeste që keqlexohen si intime. Miqësitë po ashtu lidhen nga hapje të pjesshme ndaj njëri-tjetrit dhe hamendësime rreth botës së brendshme të tjetrit. Madje, edhe marrëdhëniet më të afërta, si ato mes prindërve the fëmijëve, varen nga keqkuptime që ndryshojnë me kalimin e kohës, ku secili përpiqet të përfytyrojë atë që tjetri nuk arrin ta thotë.
Ndaj, përkthyesja në këtë roman është personazh real, po aq sa edhe një lloj metafore. Detyra e saj është të reduktojë sa më shumë paqartësitë, ndonëse është pikërisht paqartësia mbi të cilën jeta e saj na shpaloset. Përkthimi gjatë seancës së terapisë së klientit të saj, zgjon kujtimet e fjetura të përkthyeses, ndërsa përpjekjet për të “ndihmuar” të tjerët shpesh shfaqin njëj dëshirë për të zgjidhur probleme të pazgjidhëshme. Ndërsa bashkëshorti i saj, Billi, beson tek qartësia dhe e sheh jetën si një rrjet shtigjesh të mirëpërcaktuara, përkthyesja e përjeton ekzistencën e saj si një lloj labirinthi.
“Jeta e tij kishte qenë si një rrjet shtigjesh të mirëpërcaktuara. E imja ngjante me një labirinth difektos, ku e ecura drejt e bënte më të vështirë të arrije destinacionin…. Ndoshta ishte më mirë të bëje gafa, të përplaseshe me objektet, të gaboje në mënyrë trashanike, sa kohë që kjo të afronte më shumë me të tjerët.”Është një pasazh, që kristalizon më së miri filozofinë e romanit. Gabimet në jetë nuk janë lajthitje që duhen ndrequr, por vetë shtigjet përmes të cilave arrijmë të gjejmë njëfarë intimiteti dhe të njohim sadopak veten tonë.
Logjika e gabimeve bëhet edhe më e gjallë dhe kuptimplotë në një nga fabulat dytësore të romanit, atë të poetes kurde, Lejla, e cila përndiqet në Nju Jork nga Rakani, një kushëri i bashkëshortit të saj. Fillimisht, Rakani shfaqet si mishërim i rrezikut dhe kërcënimit. Një burrë, i cili ndjek dhe fotografon një grua, që është larguar nga bashkëshorti i saj. E shqetësuar për sigurinë e mikeshës së saj, përkthyesja – personazhi kryesor i romanit – vendos instiktivisht të përfshihet për të ndihmuar. Të mos harrojmë se Lejla nuk i ka kërkuar ndihmë në asnjë moment, dhe madje, në një rast duket se e refuzon atë. Megjithatë, përkthyesja përfshihet dule e mashtruar Rakanin përmes një flirti të shtirur, dhe i vjedh telefonin, e bindur se ai e gjurmon Lejlan përmes celularit. Pra, kemi të bëjmë me një keqinterpretim të përllogaritur. Por, gjërat nuk mbeten kaq të thjeshta. Kufijtë sa vijnë e bëhen më të ndërlikuar, teksa zbulojmë se Rakani është gjithashtu emigrant në Nju Jork, për të cilin burimi i vetëm i të ardhurave janë paratë që i dërgon kushëriri i tij i pasur si pagesë për të ndjekur Lejlan në Nju Jork. Para, mbijetesa e tij dhe e të afërmve, si edhe mundësia për t’i plotësuar vetes disa dëshira vanitoze për veshje sportive të shtrenjta, e shndërrojnë atë në një personazh negativ në sytë tanë. Kur në një moment, Lejla befas zhduket pasi gjen punë në një qytet tjetër, edhe të ardhurat e Rakanit dhe vetë Rakani zhduken. Papritur, edhe ky përndjekës shfaqet në komplekistetin e tij si një person i ngecur në kthetrat e një ekonomie mizore, i cili vepron ashtu siç vepron jo nga ndonjë dashakeqësi, por për shkak të nevojës.
Episodi i Rakanit, që është dhe një ndër më të gjatët në roman, demonstron se si riprodhohet keqinterpretimi në çdo shtresë të jetës. Përkthyesja keqinterpreton qëllimet e tij, ne si lexues e keqinterpretojmë Rakanin si personazh tërësisht negativ, ndërsa ai vetë keqinterpreton rolin e tij, duke e parë “punën” që i është ngarkuar të bëjë, si burim qëndrueshmërie, kur në fakt vetëm sa ekspozon vulnerabilitetin e tij. Pra, keqinterpretimi nuk na shfaqet thjesht si një gabim në perceptim, por si vetë struktura e ekzistencës sonë, e formësuar nga emigracioni, varfëria dhe improvizimet e dëshpëruara për të mbijetuar.
Përtej ritmit, sinqeritetit dhe sensit të humorit, ajo çfarë e bën “Keqinterpretimin” realisht një roman tërheqës, është se refuzon të sanksionojë kuptimin dhe qartësinë si synime kryesore të jetës. Nuk është qartësia ajo që e shpëton martesën e personazhit kryesor dhe nuk është qartësia ajo çka i ofron shpëtim dhe qetësi Alfredit (kosovarit të mbijetuar të torturave). Sipas vizionit të romanit, të kuptosh nuk do të thotë domosdoshmërisht të shërohesh dhe as të dalësh mbi problemin. Në fakt, keqinterpretimi është ndonjëherë mënyra e vetme për të gjetur një lloj intimiteti; e vetmja mënyrë për të përballuar afërsinë me dhimbjen e tjetrit.
Përkthyesja në roman, arrin një moment pranimi: “Mund të jetë faji im. Ndoshta nuk do ta mësoj kurrë. Por nuk mundem thjesht ta lë botën të vazhdojë. Jo gjithmonë. Ndonjëherë më duhet të luftoj. Më duhet të jetoj.” Është ky një pasazh, i cili mbar peshën e thelbit të të gjithë romanit, se keqinterpretimi jo vetëm nuk është një pengesë, por kusht i vetë jetës. Të jetosh, do të thotë të veprosh pa siguri dhe të këmbëngulësh pa e ditur asnjëherë plotësisht nëse po bën gjënë e duhur ose jo, nëse je fajtor apo i pafajshëm.
“Keqinterpretimi” të lë në fund me ndjesinë se jeta ngrihet mbi fragmente gabimesh, tradhëtish të vogla dhe intimiteti të keqinterpretuar. Personazhi kryesor i romanit nuk gabon për shkak të pamundësisë së saj për të kuptuar botën, por sepse ndjek gjatë gjithë kohës idenë iluzore se bota në fakt mund të kuptohet./tema.net

















