Na ndiqni edhe në

Bota

Rusia bombardoi Ukrainën për 12 orë. Zelensky paralajmëron hakmarrje

Rusia bombardoi Ukrainën për 12 orë. Zelensky paralajmëron

Një bombardim masiv ajror rus, që zgjati më shumë se 12 orë, ka vrarë të paktën katër persona dhe ka plagosur 40 të tjerë në Ukrainë, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Ndër viktimat në Kiev ishte një vajzë 12-vjeçare.

Rusia ka dërguar afro 600 dronë dhe disa dhjetëra raketa që synonin shtatë rajone të Ukrainës. Përveç Kievit, janë goditur edhe rajonet Zaporizhzhia, Khmelnytskyi, Sumy, Mykolaiv, Chernihiv dhe Odesa. Guvernatori i Zaporizhzhias, Ivan Fedorov, konfirmoi se tre fëmijë u plagosën, përfshirë dy djem 11 dhe 12 vjeç dhe një vajzë 9-vjeçare.

Zelensky e përshkroi sulmin si “të shëmtuar” dhe premtoi se Ukraina do të hakmerret. Ai tha se sulmet tregojnë që Moska ka qëllim të vazhdojë luftën dhe vrasjet, dhe kërkoi reagim të fortë nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara.

Sulmet dëmtuan infrastrukturën civile, përfshirë Institutin e Kardiologjisë në Kiev, ndërtesa banimi, një furre dhe një fabrikë goma makinash. Guvernatori i rajonit të Sumy raportoi gjithashtu vdekjen e një burri 59-vjeçar gjatë sulmeve të fundit.

Ky bombardim i gjatë ndodhi në përfundim të Javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, gjë që Zelensky tha se tregon “pozicionin e vërtetë” të Rusisë. Ai ripohon mbështetjen për sanksione më të rrepta ndaj Rusisë dhe u bëri thirrje vendeve evropiane të reduktojnë varësinë nga nafta dhe gazi rus.

Ndërkohë, megjithëse Moska mohoi që ka synim të sulmojë vende të BE-së ose të NATO-s, hyrjet e fundit të dronëve rusë mbi Danimarkë, Estoni, Rumani dhe Poloni kanë rritur tensionet. NATO ka reaguar duke forcuar krahun e saj lindor, ndërsa avionët polakë janë ngritur në ajër të dielën pas sulmeve në Ukrainën perëndimore.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha në OKB se vendi i tij nuk ka qëllim të sulmojë vendet e BE-së ose të NATO-s, por paralajmëroi për një “përgjigje vendimtare” ndaj çdo “agresioni” kundër Moskës./K.C/dritare.net