Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Sekreti i jetëgjatësisë/ Çfarë zbuloi shkenca te spanjollja që jetoi 117 vjet!

Sekreti i jetëgjatësisë/ Çfarë zbuloi shkenca te

Maria Branyas, gruaja më e moshuar në botë, e cila ndërroi jetë në Spanjë në gusht 2024 në moshën 117-vjeçare, mund të ketë mbajtur brenda vetes çelësin e jetëgjatësisë. Shkencëtarët spanjollë që analizuan gjakun, ADN-në dhe shëndetin e saj të përgjithshëm zbuluan se, megjithëse mosha kronologjike ishte shumë e avancuar, biologjikisht trupi i saj dukej shumë më “i ri”.

Mostrat e marra para vdekjes treguan se Branyas kishte nivel shumë të ulët inflamacioni, shëndet të shkëlqyer të zorrëve dhe një profil gjenetik “rinor”. Ajo kishte gjithashtu variante gjenetike të rralla që e mbronin nga sëmundje të zakonshme si problemet kardiovaskulare, diabeti dhe sëmundjet neurodegjenerative si Alzheimer apo Parkinson. Studiuesit i quajtën këto të dhëna “të jashtëzakonshme”, pasi ofrojnë prova të reja se procesi i plakjes mund të ngadalësohet.

Përveç gjenetikës, mënyra e jetesës së Branyas duket se ka luajtur rol vendimtar. Ajo ndiqte një dietë mesdhetare, konsumonte rregullisht tre kos në ditë për të mbajtur shëndetin e zorrëve, kishte orar të qëndrueshëm gjumi, ushqehej në mënyrë të balancuar dhe bënte aktivitet fizik. Leximi, muzika dhe kujdesi për kopshtin e mbanin mendërisht aktive dhe të lidhur me jetën sociale.

Studimi, i botuar në revistën shkencore Cell Reports Medicine, tregon se plakja nuk shoqërohet domosdoshmërisht me sëmundje të rënda. Sipas ekspertëve, kombinimi i faktorëve gjenetikë me një stil jetese të shëndetshëm mund të jetë çelësi për të jetuar më gjatë dhe me shëndet më të mirë.

Maria Branyas lë pas jo vetëm një rekord mbresëlënës, por edhe një dëshmi se jetëgjatësia nuk është thjesht fat, është edhe kujdes për trupin, mendjen dhe mënyrën se si jetojmë çdo ditë./K.C/dritare.net