
Nga Ilirian Zhupa
E dashur Zhani, të dashur fëmijtë të Petrit Rukës, vëllezër dhe familjarë të tij,
Të nderuar bashkëqytetarë tepelenas, të ftuar dhe bashkëadhurues të krijimtarisë dhe veprës së poetit tonë të çmuar! Është një emocion i veçantë të jem këtu, në qytetin ku linda dhe u rrita, i ftuar nga Bashkia dhe nga shoqata Djemtë e Tepelenës, për të përshëndetur rikthimin në vendlindje të mikut tim të shtrenjtë, i cili i ka ngritur një përmendore poetike, kinematografike dhe kujtese këtij qyteti dhe këtij vendi. Pikërisht mbas ikjes së parakohshme të tij, ju, të tepelentit, siç u quante Petriti, me ngritjen e këtij monumenti, besoj se keni treguar një akt mirënjohjeje, i cili besoj do të pasohet nga akte të tjera.
Me Petrit Rukën, jemi njohur 50 vjet më parë. Ai sapo kishte mbaruar arsimin e lartë dhe ishte emëruar mësues në fshatin e tij të lindjes, unë, sapo kisha mbaruar gjimnazin dhe isha degdisur në minierë. Poezia, kjo magji e madhe e fjalës dhe e mendjes njerëzore, na njohu, na bëri miq, nxënës dhe mësues të njeri-tjetrit, atletë të fjalës, që pasi fituam garat lokale, filluam të synonim garat kombëtare e më tej. Stërviteshim në një terren shumë të ngushtë. Stërvitjet tona bëheshin nga rrapi i Selam Musait, te agjencia, nga shtëpia e Odisesë dhe Aleksandrës në Tepelenë, te shtëpia e Novruzit dhe Seftesë në Turan. Sallat e leksioneve ishin dhomëzat e vogla të shtëpive përkatëse, që prindërit, vëllezërit dhe motrat, i vinin në dispozicionin tonë, me një bujari e kënaqësi të rrallë, duke u ngushtuar për vete.
Në ato vite mungesash, dhe distance nga Tirana, publikimet tona sporadike në organet letrare qendrore, ishin një nxitje e madhe për njeri-tjetrin, Po ashtu, librat e poetëve botërorë dhe librat e bashkëpatriotëve tanë si Sadik Bejko e Qazim Sheme që publikuan para nesh, si dhe miqtë e shumtë dhe bashkëudhëtarët e letrave si Shkëlqim Hajno, Novruz Shehu etj, që për arsye kohe nuk mund t’i përmend këtu. Kishim dhe njëavantazh në atë kohë izolimi, lajmet dhe të rejat kulturore nga “matanë detit”, na i sillte Pertef Liçi, i cili punonte në repetitorët e Gllavës e Gusmarit. Me shumë vështirësi u bëmë dhe vetë me libra. Libra rinie, ëndrrash dhe pasionesh. Gradualisht u vendosëm në qendër të vëmëndjes se opinionit letrar kombëtar, të bashkëqytetarëve tanë, dhe u rrethuam me dashamirës, adhurues, shokë dhe miq të shumtë të letrave. Duke e shëndërruar Tepelenën në një çerdhe të vërtetë letrare, dhe duke u shpallur nga bota letrare shqiptare si Shkolla Poetike e Tepelenës.
Petrit Ruka është një nga themeluesit dhe frymëzuesit e kësaj shkolle. Poezia e tij u rrit nga libri në libër gjer tek majat e krijimtarisë së tij letrare “Shamitë e zeza qiellore” dhe baladat popullore të përpunuar, “Andej baltë, këtej erë”. Po kështu, opusi i veprës së tij me dokumentarët, regjitë, filmat artistikë, veprat monografike etj.
Kishte një merak të përhershëm Petriti. Largimin e njeriut nga njeriu, nga familja dhe fisi, nga vendlindja, atdheu dhe gjuha. Në botën e sotme moderne, të gjithë ikin. Është kjo një modë, një mënyrë ekzistence, apo një sindromë e këtij shekulli? Po Petriti nuk ishte nga ata që ikin. Ai ishte nga ata që vinë vazhdimisht qoftë edhe si monument.
Shumëkujt prej nesh, i janë rralluar familjarët, miqtë e shokët në Tepelenë. Por tani, me “rikthimin” e Petritit këtu, kemi një arsye madhore të vimë më shpesh. Të shihemi e të çmallemi me shokun, mikun dhe sivëllain tonë, mësuesin, poetin dhe kineastin e përjetshëm, që Tepelena e meriton.
Dhe në fund, një falenderim zemre për skulptorin z.Ilmi Kasemi dhe të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e kësaj vepre të veçantë./dritare.net

















