
Shkoi për të denoncuar vjedhjen e G Class. Si ra në sitën e hetimeve noterja 35-vjeçare!
Dritare.net
Hetimet ndaj noteres 35-vjeçare, Sanja Telhallari, kanë nisur pas një denoncimi që ajo vetë bëri në polici në gusht të vitit 2023, kur persona të paidentifikuar tentuan t’i vidhnin mjetin e saj luksoz “Mercedes Benz G Class” në zonën e Astirit.
Ky episod u bë shkak për ngritjen e dyshimeve nga policia dhe më pas nga Prokuroria e Tiranës, e cila zbuloi se pasuria e saj ishte e pajustifikueshme me të ardhurat zyrtare nga puna si notere.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, gjatë periudhës 2013–2024, Telhallari kishte kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme me vlera të larta monetare, përfshirë apartamente, dyqane, vende parkimi dhe një vilë në një kompleks luksoz. Në total janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme dhe disa llogari bankare me shuma të mëdha parash.
Autoritetet theksuan se investimet në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si makina luksoze dhe sende me vlerë, nuk përputheshin me të ardhurat e ligjshme të deklaruara. Nga verifikimet rezultoi një mospërputhje e dukshme mes të ardhurave dhe shpenzimeve, ndërsa dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e këtyre pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, K. P., i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe i dënuar me 21 vjet burg për shfrytëzim prostitucioni.
Më 29 shtator, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ekzekutoi vendimin për sekuestrimin e pasurive, duke theksuar se masa preventive është marrë për të ruajtur asetet gjatë hetimit penal dhe për të parandaluar transferimin apo përdorimin e tyre me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme.
Çështja po hetohet nga prokurori Ndini Tavani, ndërsa pritet dokumentimi i plotë i burimeve financiare dhe pasurive të dyshuara./L.F-dritare.net

















