Na ndiqni edhe në

Opinione

Kur një histori bëhet diagnozë për të gjithë: Libri i Mirës një radiografi për kancerin, shoqërinë dhe shëndetësinë tonë

Kur një histori bëhet diagnozë për të gjithë:

Nga Alba Malltezi

“Një ditë tjetër...”, libri i sapopublikuar nga gazetarja e mirënjohur Mira Kazhani është një dhuratë e çmuar për çdo vajzë dhe grua shqiptare, por edhe për shoqërinë. Është vlerë, jo vetëm për ndjenjat e sinqerta dhe të drejtpërdrejta që rrëfen në vetë të parë pas eksperiencës më të vështirë në jetën e saj, përballjen me kancerin e gjirit, por sidomos, për dritën e ndezur nga një gazetare e talentuar në labirintet e ndërlikuara të sistemit tonë shëndetësor dhe mënyrën se si ky sistem pret sot pacientet me një diagnozë ende tronditëse, depersonalizuese dhe të kushtueshme.


Të rrëmben që në rreshtat e parë të librit serioziteti, respekti, impenjimi, kërkimi, informacioni, thellësia, ndjenja, pastërtia dhe thjeshtësia e gjuhës që gazetarja i ka bërë bashkë për të sjellë para lexuesit një mrekulli letërsie por dhe gazetarie, reportazhi, por dhe ndjenjash, përshkrimesh, figurash letrare në funksion të përçimit të asaj që për një gazetar është Shenjtëri: E vërteta dhe informacioni. Nuk e di se cila ishte magjia që i ndodhi në këtë realizim të librit të saj të parë, por ja ka arritur më së miri dhe uroj që kjo që ndjeva unë duke e lexuar, të jetë një mendim i shumfishtë dhe i kudogjendur në çdo dorë dhe cep të botës shqiptare ku libri do të udhëtojë.

Si Report TV dhe Shqiptarja.com prej shumë vitesh tashmë jemi të impenjuar çdo tetor të vendosim fjongon rozë, thjeshtë për të kujtuar motrat, nënat, vajzat shqiptare të gjejnë kohën për veten, për një kontroll, pasi, siç e dëshmon në vetë të parë Mira me historinë e saj, shpejtësia, lufta me kohën, diagnostikimi i hershëm ndryshon plotësisht si kalvarin e kurave, ashtu dhe historinë e kancerit të gjirit, por dhe të çdo kanceri tjetër.

Si grup mediatik e nisëm ndërgjegjësimin tonë në të largëtin 2011 kur pamë shifrat alarmante të grave dhe nënave shqiptare të cilat shpesh shkonin tek doktorët në stadin e katërt të kancerit në gjinjtë. Shumë prej tyre as nuk paraqiteshin, ose me të marrë diagnozën nisnin kurimet “popullore” ose mendonin për magji apo gjëra të tjera duke injoruar shkencën. E nisëm ndërgjegjësimin edhe të shtërnguar nga kushtet e tmerrshme të onkologjikut të atëhershëm, me kimioterapi mbi krevatë me dyshekë tërë njolla, me susta të çara dhe pa protokolle ndërkombëtare. Sot shumë gjëra kanë ndryshuar, por dëshmia e Mirës, trishtimi i disa aspekteve që tek ne kanë mbetur ende të gangrenizuara, tregon se sa punë duhet bërë nga të gjithë si shoqëri: gazetarë, institucione dhe pacientë, bashkë për t’u përmirësuar.


Ja libri i Mirës bën pikërisht këtë: Na jep një shanc si shoqëri, si gra e nëna, si institucione për t’u përmirësuar. Duam ta marrim e ta bëjmë mësim pikërisht me atë përulësi, me atë sinqeritet dhe vërtetësi siç e ka shkruar?

Nesër është 1 tetori dhe i gjithë muaji do t’i kushtohet sensibilizimit për kontrollet për kancerin e gjirit. Por në të vërtetë, libri që kemi nëpër duar këto ditë, mund të na detyrojë të shohim brenda vetes e të bëjmë pyetjen e madhe: A kemi bërë më të mirën për kurimin dhe dinjitetin e gruas? A janë mediat përherë të gatshme në krah të tyre dhe të nxisin institucionet për të bërë më të vlefshmen?

Edhe në 2025, duke parë gjithë diellin që Mira ka hedhur në fjalitë e librit të saj, është e qartë se mbetet shumë, ende shumë për të bërë dhe për të arritur tek niveli që mund ta themi me plot gojën që respekton dinjitetin njerëzor, respekton gruan në kohën e saj më të vështirë. Për të kuruar mirë, shërben sidomos më shumë humanizëm dhe Dashuri, që nuk na mungojnë, vetëm duhet t'i tregojmë./shqiptarja.com