
Denoncimi i një inxhinieri në Bruksel, që zbuloi abuzimet me fondet e BE në AZHBR
Dritare.net
Inxhinieri Romeo Nazarko ka rrëfyer betejën e tij me Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) për një projekt pemtarie në Kolonjë, një rast që ai e ka denoncuar për korrupsion direkt në Bruksel. Nazarko aplikoi për një fond prej 220,000 eurosh, por u përball me një refuzim të bazuar në 15 pika, të cilat ai i cilëson si absurde, siç ishte kërkesa për një vërtetim nga Agjencia e Mjedisit që mbjellja e pemëve nuk do të dëmtonte mjedisin. Edhe pas plotësimit të të gjitha kërkesave, projekti i tij u refuzua sërish.
Sipas tij, kjo ishte një skemë për të favorizuar projekte me vlerë mbi 1 milion euro, ku hapësira për bakshishe, që arrinin deri në 40%, ishte më e madhe. Pas një takimi të tensionuar me ish-drejtoreshën e AZHBR-së, Frida Krifca, ku ai pretendon se u kërcënua, Nazarko i shkroi direkt institucioneve të BE-së. Ky denoncim vuri në lëvizje prokurorët e Brukselit, të cilët nisën një hetim që zbuloi shpërdorime në vlerën e mbi 30 milionë eurove nga fondet e IPARD, duke çuar në pezullimin e tyre për Shqipërinë.

















