
Rama shkarkon Ballën, emri që propozoi për ministër të Brendshëm!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka propozuar emrin e Ervin Hoxhës për ministër të Brendshëm gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS-së. Hoxha do të zëvendësojë Taulant Ballën që me propozim të Ramës do të marrë postin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin, duke zëvendësuar kështu Elisa Spiropalin që do të marrë drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Por kush është Ervin Hoxha?!
Ervin Hoxha është një oficer i diplomuar në Akademinë Gjermane të Policisë. Ai së fundmi ka punuar si drejtor i IKM-tsë, ndërkohë që ka drejtuar mjaft sektorë të tjerë. Në CV-në e tij thuhet se për më shumë se 20 vite ka shërbyer në funksione të ndryshme nga niveli ekzekutues deri në nivelet më të larta te drejtimit në institucione qëndrore dhe ligjzbatuese të shtetit shqiptar si: Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë.
Jetëshkrimi!
Ervin Hoxha ka lindur në Tiranë më 13.10.1978. Arsimin e mesëm 4 vjeçar e kreu në Shkollën Teknike të Përgatitjes së Nënoficerëve, (Teknik Astsubay Hazirlama Okulu) në Balikesir, Turqi. Më tej vazhdoi Akademinë e Lartë të Sigurisë (Offizier Schule des Herres) në Dresden të Gjermanisë. Në vitin 2006 përfundoi ciklin universitar në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Arsimin pasuniversitar e përfundoi me sukeses në Shkollën e Lartë të Policisë Gjermane (Deutsche Hochschule der Polizei), duke fituar titullin M.A në Administrim Publik dhe Menaxhim Policor. Ka ndjekur trajnime të certifikuara në nivelin e lartë të drejtimit dhe menaxhimit në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit në SH.B.A., Austri, Gjermani etj. Për më shumë se 20 vite ka shërbyer në funksione të ndryshme nga niveli ekzekutues deri në nivelet më të larta te drejtimit në institucione qëndrore dhe ligjzbatuese të shtetit shqiptar si: Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë. Ka kryer me sukses detyra të larta në nivelin drejtues si: Drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shef i Njësisë Kombëtare Europol, Shef i Zyrës Qëndrore Kombëtare Interpol, Drejtor i Policisë Rrugore, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, Drejtor i Hetimit Tatimor dhe Pastrimit të Parave, Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si edhe Drejtor Kabineti dhe Këshilltar i disa funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar. Në datë 26.01.2022 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës me VKM nr. 57. Ervin Hoxha zotëron në nivel të avancuar gjuhën turke, gjermane dhe atë angleze./K.C/dritare.net

















