
Ndizet alarmi! Koreja e Veriut lëshon breshëri raketash drejt Detit të Verdhë
Dritare.net
Tensionet në gadishullin Korean janë ndezur sërish pasi Koreja e Veriut lëshoi më shumë se një duzinë raketash paraditen e së enjtes, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut.
Sipas deklaratës zyrtare të ministrisë, raketat janë lëshuar rreth orës 10:00 të mëngjesit me orën lokale, nga zona e Sun’anit në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenian. Autoritetet koreano-jugore shtuan se aktualisht po analizohen të dhënat e raketave në bashkëpunim me inteligjencën amerikane për të përcaktuar llojin dhe qëllimin e tyre.
“Detajet janë ende duke u analizuar nga autoritetet e inteligjencës së Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Jugut, Yonhap, raportoi se raketat janë lëshuar në drejtim të Detit të Verdhë, i njohur në Korenë e Jugut si Deti Perëndimor, një zonë e ndjeshme ushtarakisht, ku shpeshherë janë regjistruar përplasje dhe manovra të rrezikshme mes dy vendeve.
Ky veprim i Phenianit vjen në një kohë të acarimeve të shtuara në marrëdhëniet dypalëshe dhe pas paralajmërimeve të përsëritura nga komuniteti ndërkombëtar ndaj aktiviteteve të saj raketore. Zyrtarë në Seul dhe Uashington kanë dënuar më parë testimet e ngjashme si provokime të rrezikshme dhe kërcënime serioze për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Koreja e Veriut, e cila është nën sanksione të shumta ndërkombëtare për shkak të programit të saj bërthamor dhe atij raketor, ka intensifikuar testimet në muajt e fundit, duke refuzuar thirrjet për dialog dhe duke u shprehur se stërvitjet ushtarake të përbashkëta mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut janë një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së saj.
Autoritetet e Seulit janë në gjendje gatishmërie të lartë dhe pritet që në orët në vijim të publikohen më shumë detaje mbi natyrën e raketave dhe qëllimin e këtij lëshimi./K.C/dritare.net

















