
Sfidon Irani: Nuk dorëzohemi! Trump kërcënon me përfshirje ushtarake në konfliktin me Izraelin
Dritare.net
Përplasja mes Iranit dhe Izraelit ka hyrë në ditën e gjashtë, me përshkallëzimin e konfliktit që vazhdon të thellohet. Udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, deklaroi se “kombit iranian nuk i përshtatet dorëzimi”, një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje që Irani të dorëzohet pa kushte.
Khamenei kritikoi gjithashtu ashpër Izraelin për nisjen e sulmeve ushtarake ndërkohë që Teherani po zhvillonte bisedime me SHBA-në mbi programin e tij të pasurimit bërthamor. Ai deklaroi se përfshirja e aleatëve amerikanë të Izraelit në konflikt është “shenjë e dobësisë dhe paaftësisë së regjimit sionist.”
Reagimi i Trump: Në përgjigje të qëndrimit të Khamenei, Trump i tha CNN-it: “Unë i them, fat të mbarë,” duke shtuar njëherazi inkurajimin për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që të “vazhdojë” me fushatën ushtarake ndaj Iranit.
Zhvillimet kryesore të konfliktit:
Ndërhyrja e mundshme ushtarake e SHBA-së mbetet pezull: Trump refuzoi të japë një përgjigje të qartë nëse do të ndërhyjë ushtarakisht në Iran. “Ju nuk e dini nëse do ta bëj. Mund ta bëj, mund të mos e bëj. Askush nuk e di çfarë do të bëj,” deklaroi ai. Trump tha gjithashtu se i ka dhënë Iranit “ultimatumin përfundimtar”, por nuk dha detaje se çfarë përmban ai.
Kundërshtime nga mbështetësit e Trump: Ai pranoi se disa përkrahës të tij janë kundër përfshirjes ushtarake në Iran. “Disa mund të jenë të pakënaqur tani, por të tjerë janë shumë të kënaqur,” tha Trump. Ligjvënësi republikan Tim Burchett nga Tennessee deklaroi se dëshiron “sa më pak përfshirje të SHBA-së” në konflikt, duke shtuar: “Nuk na duhet një luftë tjetër pa fund në Lindjen e Mesme.”
Sulmet e fundit: Mediat shtetërore iraniane raportuan se një sulm izraelit goditi pranë një objekti të Gjysmëhënës së Kuqe në Teheran. Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi për një valë të re sulmesh që përfshiu më shumë se 50 avionë, të cilët goditën objektiva të prodhimit të centrifugave dhe raketave iraniane gjatë natës. Pamjet satelitore të siguruara nga CNN tregojnë dëme të mëdha në bazën e raketave në Tabriz dhe aeroportin ushtarak në Mashhad.
Bllokimi i internetit: Organizata NetBlocks raportoi se Irani po përjeton një ndërprerje pothuajse totale të internetit mbrëmjen e së mërkurës.
Qytetarë të bllokuar: Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pezulluar gjobat për qytetarët iranianë që kanë tejkaluar afatin e qëndrimit për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore rajonale. Ndërkohë, Izraeli ka nisur një operacion për të kthyer në vend shtetasit e tij të bllokuar jashtë për shkak të anulimeve të fluturimeve, fluturimi i parë ka mbërritur sot në aeroportin Ben Gurion./K.C/dritare.net

















